AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Pakti për Universitetin”; Buxheti 2020: Reduktim i tarifave për studentët, bursa për ekselentët

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me të dhënat mbi investimet në arsim dhe mbështetjen e studentëve në buxhetin e 2020

“Me fokus studentët dhe mbështetjen ndaj “Paktit për Universitetin”, në buxhetin e 2020, 90 mijë studentë janë përfitues nga përjashtimi dhe reduktimi i tarifave dhe mbi 12 mijë bursa do të jepen për studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Po ashtu në 2020 do të ketë investime infrastrukturore në konvikte dhe qasje në bibliotekën dixhitale e studentëve dhe kërkuesve shkencorë”, tha Rama.

Për vitin 2020 arsimi do të ketë buxhet më të madh në krahasim me vitet e kaluara.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, projektet e filluara në 2019-tën, që adresuan kërkesat e studentëve në përmirësimin e kushteve në institucionet e arsimit të lartë (IAL) dhe cilësisë së arsimit, do të vijojnë edhe në 2020-tën.

Një tjetër fokus, thekson Kryeministri Rama, në mbështetje të studentëve do të jetë rritja e kërkimit shkencor, cilësi akademike nëpërmjet kontrollit anti-plagjiaturë dhe shpërndarje e kartës së studentit.

Arsimi i konsideruar si sektor prioritar nga qeveria do të marrë 3.3 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm, krahasuar me 2019-ën.

Buxheti për ministrinë e Arsimit llogaritet 42.5 miliard lekë, me një rritje me 9%.

Në këtë sektor do të financohet me përparësi Arsimi i Lartë. Sipas të dhënave në p/buxhetin e vitit 2020, parashikohet që investimet të rriten më shumë se dyfish për arsimin nga 340.5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020 – 2022.

Me këtë buxhet garantohet mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadrin e Paktit për Universitetin.

Po ashtu, p/buxheti i 2020 siguron ofrimin e teksteve shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë me një efekt prej 500 milionë lekë në vit.

Për 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore.

 

Fraksion.com