Paketa anti-KÇK, Kryemadhi: Rama e ka lakun në fyt, kërcënoi dhe bashkëpunëtorët e tij. Po i mbarojnë minutat
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar menjëherë pasi Kryeministri Edi Rama bëri publike paketën anti-KÇK.
“Erdhi më i lodhur seç iku. Nuk mësoi asgjë nga prezantimi i kryebashkiakut të Kamzës. Në kuadër të lodhjes së vazhdueshme, shikojmë se si demaskohet më shumë kapsi dhe sabotuesi kryesor i reformës në drejtësi. Çdo ditë dhe më shumë për sytë e shqiptarëve dhe dashamirësve të shqiptarëve, shikohet se si shkatërruesi në drejtësi vazhdon që të sabotojë. Krijimi i krizës politike, kryeministri i lodhës, i kapur nga kriimi i organizuar, provokon. Provokon qytetarët shqiptarë, sistemin e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtar. Sot që ngrihet SPAK, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij. Policia deri sot ka qenë avokate e ethshme, avokate që ka pasur dashuri për krimin e organizuar dhe për oligarkët. Kemi pasur polici tradhtarë ndaj aksioneve ndërkombëtare. Kemi parë se si tradhtoheshin dhe se si spiunoheshin aksionet e ndërkombëtarëve. Kemi parë sesi rriheshin aksionerët e huaj dhe rrahësit hanë e pinë me zyrtarë shqiptarë. Kemi parë se si ngrihen me gaz lotsjellës fëmijë e të moshuar. Sot Rama kërcënoi dhe deputetët dhe bashkëpunëtorët e tij, tregon haptazi orientimin që Rama po i bën Shqipërisë. Shkojmë se si një polici e tillë dhe një ligj i tillë vendoset në mënyrë paralele për të penguar hetimin e veprave korruptive të Ramës, që jo vetëm i dalin në ëndërr por se lënë të flenë. Ajo që të bën përshtypje është që tashmë që Rama e ka kthyer vendin në Kolumbi të Evropës, ajo që ai lançoi sot ishte një interpretim i lodhur dhe jo profesional. Po më bën të zhgënjehem si një studente dhe pedagoge e Akademisë së Arteve. Dëgjonim se si kërkonte dhe të hidhte parfum në gropën e ujërave të zeza tek koncesionet. Rama kërkonte që të shpaloste si një projekt strategjik ku kërkonte që brenda radhëve të tij të gjente armiq”, pohoi ajo.
Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se kërkon të vendosë kolateral paratë e shqiptarëve. Ajo e cilësoi prezantimin e paketës “Anti KÇK” nga kreu i maxhorancës një monolog duke theksuar se minutat e tij po mbarojnë.
“Rama po i kërkon Banka e Shqipërisë një rregullore ku për të mbuluar koncesionet kërkon të vendosë kolateral paratë e shqiptarëve. Nuk dëgjuam Edi Ramën të fliste për buxhetin e shtetit si ka falsifikuar tabelat e buxhetit faktik. Nuk tregon se si 1 mld lekë nuk derdhen në buxhetin e shtetit. Dëgjuam një kryeministër, që mbi 2 orë bënte monolog me veten e tij pasi nuk ka shqiptarë që mund ta dëgjojnë, pasi kudo që do shkojë do dëgjojë vetëm Rama ik. Nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të flasë me bashkëgrabitësit dhe bashkëfajtorët. E vërteta është që minutat e tij po mbarojnë por ne nuk duhet të lejojmë që me mbarimin e minutave të Edi Ramës të mbarojnë dhe minutat e shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi.
Fraksion.com