Të fundit

Ngrihet SPAK: Ja kush janë 8 prokurorët e parë pa të drejtë riemërimi

Është ngritur sot Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe  si SPAK.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) janë miratuar me 11 vota pro, projektaktet për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme.

Tetë prokurorët e parë të SPAK janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.

Prokurorët në SPAK do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Kështu, në ligjin nr 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thuhet se “Mandati fillon ditën kur bëhet ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës. Data e betimit i njoftohet dhe Këshillit dhe përfshihet në dosjen personale”.

Gjatë mbledhjes së KLP, u tha se ky vendim hyn në fuqi me datë 19 Dhjetor 2019 dhe botohet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.