“Video erotike me diplomat të huaj”; Si e ndezi Presidenca zjarrin e video-skandaleve shantazhuese
Nga Ardit Rada
Lajmi se një video erotike me protagonistë një diplomat të huaj dhe një punonjëse të lartë të MPB duket se po mban mbërthyer publikun shqiptar. Edhe pse lajmi qarkullon vetëm si titull dhe pa detaje, media pranë opozitës kanë guxuar të luajnë me foton ilustruese për të ngjallur aludime rreth personazheve në materialin filmik.
E gjitha ka marrë shkas nga dy deklarata të Ilir Metës, ku ka përmendur përgatitjen e një spoti. Në fakt, Presidenti është shprehur vetëm rreth një materiali për shkeljet kushtetuese sipas tij, nga ana e KED. Pas njoftimit nga vetë presidenti se video do të përkthehet edhe në gjuhë të huaja, deklarata e kreut të shtetit ka nxitur indirekt persona pranë tij që të abuzojnë qëllimisht. Më datë 17 nëntor, Ilir Meta bëri njoftimin e dytë ku theksonte se “Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!”.
Siç duket edhe nga deklaratat e Metës, video që pritet t’i serviret publikut lidhet vetëm me luftën që ai ka me mazhorancën, ndërkombëtarët dhe Ardian Dvoranin në veçanti.
Ekzistenca e një materiali të mundshëm me seks ka ngjallur neveri edhe të figurave të larta në partinë e Presidentit. Ish-ministri Ylli Manjani e ka cilësuar si një sulm pa moral dhe pa logjikë përdorimin e të tilla shantazheve.
Por hamendësia që qarkullon prej pak ditësh duket se ka ngjitur tek qytetarët edhe për faktin se nuk shohin dritë jeshile për ngërçin institucional nga vetë palët e përfshira. Të qartë se edhe këtë herë nyjën gordiane mund ta zgjidhë vetëm “Venecia”, shqiptarët presin nga politika vetëm SHOW me thashetheme, shantazhe dhe video. Që mesa duket nuk ekziston gjëkundi.
Fraksion.com