Shërbim pranë vendbanimit në Shkodër dhe veri; Ulen radhët e pritjes për koronarografinë
Shërbimi i hemodinamikës në spitalin rajonal të Shkodrës ofrohet brenda 24 orëve, duke zeruar radhët e pritjes për këtë shërbim jetik për qytetarët, që sot ofrohet afër vendbanimit.
Kryeministri Edi Rama u ndal sot te ky shërbim i ri që ofrohet falas pranë zonës së vendbanimit që lehtëson ndërhyrjet e zemrës për banorët e Shkodrës dhe të veriut të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër shërbim të ri shëndetësor falas e pranë zonës së vendbanimit që lehtëson ndërhyrjet e zemrës për banorët e Shkodrës dhe të Veriut të vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës dy ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se falë bashkëpunimit me shërbimin universitar të QSUT-së, spitali i Shkodrës po mbulon shërbimin e koronarografisë për të gjithë zonën e veriut.
Manastirliu tha se 98% e koronarografive kryhen në spitalet publike. “6835 qytetarë kanë përfituar nga paketat e zemrës në spitalet publike dhe jo publike këtë vit. Rritja e kapaciteteve në spitalet publike me ngritjen e tre qendrave të hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Fier dhe Shkodër, ka mundësuar që 98% e këtij shërbimi të ofrohet në spitalet publike”, – tha Manastirliu.
Në rang vendi, radhët e pritjes për shërbimin e koronarografisë janë reduktuar në dy javë, si rezultat i investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për Njësitë e Hemodinamikës, ndërsa ndërhyrjet e kryera janë rritur me 20% në 10-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Manastirliu deklaroi se me kapacitetet e shtuara, synimi është mbulimi i plotë i paketave të zemrës në spitalet publike.
Fraksion.com