Pompeo inkurajon iranianët të paraqesin fakte kundër regjimit
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u ka bërë thirrje iranianëve që të paraqesin videot dhe informacione të tjera që dokumentojnë “goditjen” e qeverisë ndaj protestuesve dhe se Uashingtoni do të sanksionojë “abuzimet”.
“Unë u kam kërkuar protestuesve iranianë të na dërgojnë videot, fotot dhe informacionin e tyre që dokumentojnë goditjen e regjimit ndaj protestuesve. SHBA-ja do të ekspozojë dhe sanksionojë abuzimet”, tha Pompeo.
Numri i vendeve që dënojnë shtypjen e protestuesve nga ana e Iranit po rritet.
Protestat u nxitën nga një vendim i qeverisë, për të kufizuar blerjet e naftës dhe shkurtimin e subvencioneve.
Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut përmendi raporte që sugjerojnë se “dhjetëra njerëz mund të jenë vrarë dhe shumë të tjerë të jenë plagosur”, përderisa Amnesty International tha se të paktën 106 protestues besohej se kishin vdekur.
Zyrtarët iranianë pranuan disa raste të vdekjeve, përfshirë anëtarët e forcave të sigurisë.
Ata i quanin protestuesit “banditë” dhe sugjeruan se demonstratat ishin pjesë e një “komploti” të “armiqve të huaj” të Teheranit.
Faqja zyrtare e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) më 21 nëntor vlerësoi ushtrinë për ndërmarrjen e “veprimeve në kohë” kundër “protestuesve” duke thënë se qetësia ishte rikthyer në vend.
Informacionet për trazirat janë bërë gjithnjë e më të vështira, pas një mbyllje gati të përgjithshme të internetit brenda Iranit.
Megjithatë, më 22 nëntor, disa zona të vendit filluan të kenë qasje në Internet.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Teheranin se po u ndalon iranianëve qasjen në internet, për të fshehur dhjetëra vrasje gjatë protestave.
“Irani është bërë aq i paqëndrueshëm sa që regjimi ka mbyllur të gjithë sistemin e tyre të internetit duke menduar se bota nuk do ta zbulojë vdekjen dhe tragjedinë që po shkakton regjimi iranian”, tha Trump.
Bashkimi Evropian tha se pret që autoritetet iraniane të rivendosin komunikimet dhe të tregojnë “përmbajtje maksimale” në trajtimin e protestave, duke thënë se të drejtat e lirisë së shprehjes dhe tubimit “duhet të garantohen”.
Fraksion.com