Nuk ndalen azilantët nga Shqipëria, 21% më shumë aplikime në janar-shtator
Ndonëse kanë normën më të lartë të refuzimit të kërkesave dhe jetojnë në një vend që nuk ka luftë apo konflikte etnike, asgjë nuk i ndal shqiptarët që të përplasen dyerve të Europës si azilantë. Edhe në muajin shtator aplikimet për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë njohur rritje sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Europiane për Azilantët. Gjatë periudhës janar-shtator numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë. Në total për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për herë të parë edhe 15,469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12,835. Vetëm muaji shtator ka pasur 1,734 aplikime të reja, duke shënuar një rritje prej 14% në raport me muajin e kaluar.
Shqipëria renditet në 10 vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Europë, së bashku me vende si Pakistani, Turqia, Iraku, Kolumbia, Irani dhe Nigeria, por vendi i vetëm europian.
Edhe pse refuzohen, kërkesat rriten
Vetëm gjatë muajit shtator numri i përgjigjeve negative nga ana e autoriteteve ishte 1321, ndërsa vetëm 57 kërkesave iu dha statusi i refugjatit. Autoritetet përkatëse në BE vlerësuan në shtator se vetëm 47 prej kërkesave duhet të përfitojnë azil. Kjo tregon normën e ulët të pranimeve të kërkesave nga shqiptarët. Aplikantët gjeorgjianë dhe shqiptarë kishin nivelin më të ulët të njohjes (përkatësisht 3% dhe 6%) midis 10 vendeve kryesore të origjinës, shkruhet në raportin mujor. Megjithatë, ka ndryshime në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian, në lidhje me nivelin e njohjes për të njëjtin vend origjine.
Në mesin e 10 vendeve të origjinës me numrin më të lartë të aplikimeve në janar-shtator 2019, aplikimet e paraqitura nga sirianët kishin nivelin më të lartë të pranimit dhe njohjes së kërkesës (86%), të ndjekur nga aplikantët turq (53%) dhe aplikantët afganë (48%).
12,680 raste në pritje
Zyra Europiane Për Mbështetjen e Azilkërkuesve raporton se në muajin shtator ishin 12,680 raste në pritje për të marrë një përgjigje. Prej 6430 kërkesa janë të paraqitura në më pak se gjashtë muaj, ndërsa pjesa tjetër po pret të shqyrtohet për një periudhë më të gjatë kohore se aq. Ky është niveli më i lartë i kërkesave që mbeten në pritje për një përgjigje që prej muajit shtator të vitit 2017.
Situata e azilkërkuesve në BE
Më shumë se gjysmë milioni aplikime u paraqitën në Bashkimin Europian gjatë nëntë muajve të parë të 2019, me rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë. Si më parë, Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit kishin numrin e aplikimeve më të lartë, duke përbërë një të katërtën e të gjitha aplikimeve në Bashkimin Europian.
Shumica e vendeve kryesore të origjinës, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kanë parashtruar më shumë aplikime në janar-shtator në 2019 në krahasim me të njëjtën periudhë.
Shkalla e njohjes së kërkesës për azil nga Bashkimi Europian ishte e qëndrueshme me rreth 32% në shtator 2019.
Rastet e pezullimit në shkallën e parë mbeten të e konsiderueshme. Përveç kësaj, shumë aplikime mbeten në pritje të vendimit për ankimim apo rishikim, deri në fund të qershorit 2019./monitor
Fraksion.com