AktualitetTë fundit

Komisioni i Jashtëm i Senatit miraton emërimin e Yuri Kimit për postin e ambasadores në Shqipëri

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi të mërkurën emërimin e diplomates Yuri Kim në postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati.

Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan. Kim ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.

Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2% në shpenzimet e Mbrojtjes deri në vitin 2024. Kim u shpreh se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreanoamerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Europës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, shefe e stafit për zëvendëssekretarin e Shtetit dhe drejtore e Zyrës për Sigurinë Europiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Yuri Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

 

Fraksion.com