KLP i dërgon Kuvendit listën me kandidatë për Kryeprokuror
KLP sqaron se asnjë nga kandidatët nuk ka shprehur ankesë për listën finale. “Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr.115/2016 ‘Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë’, ligjit nr .97/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 ‘Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm’. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit”, – shkruan KLP.
“Për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit nr. 97/2016, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores ‘Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë’; bashkëlidhur ju përcjellim vendimin nr.236 datë 14.11.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij”-, përfundon letra drejtuar Kuvendit.
Kështu, brenda 30 ditëve Shqipëria do të ketë emrin e ri të Prokurorit të ri të Përgjithshëm me mandat të plotë 7-vjeçar.
I pari në listë u rendit prokurori Olsian Çela me 459 pikë, ndjekur nga kryeprokurorja aktuale me mandat të përkohshëm Arta Marku me 406 pikë dhe prokurorja Fatjona Memçaj me 362 pikë.
Prokurori i Përgjithshëm do zgjidhet me 3/5 e votave. Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë, Olsian Çela.
Fraksion.com