Greqia do t’i mbyllë dyert për migrantët që nuk kanë të drejtë azili
Greqia tha të premten se është duke vendosur më shumë roje kufitare për të “mbyllur dyert” për migrantët që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se ka miratuar punësimin e 400 rojeve në kufirin tokësor të Greqisë me Turqinë dhe të 800 rojeve të tjera në ishuj.
Greqia do të rrisë edhe operacionet e patrullimit në det, tha ai.
Të mërkurën, Qeveria konservatore greke i bëri publike planet për mbylljen e kampeve të mbipopulluara të refugjatëve në ishuj dhe për zëvendësimin e tyre me qendra më të kufizuara të strehimit.
“Të mirëseardhur në Greqi janë vetëm ata që ne i zgjedhim. Ata që nuk janë të mirëseardhur do të kthehen”, tha Mitsotakis.
“Do t’ua mbyllim përgjithmonë derën trafikantëve të paligjshëm të njerëzve dhe atyre që duan të hynë, edhe pse nuk kanë të drejtë azili”, shtoi ai.
Greqia ka qenë porta kryesore për në Bashkimin Evropian për më shumë se dy milionë njerëz që kanë ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, qysh në vitin 2015.
Mitsotakis, i cili e mori detyrën në korrik, ka një qëndrim më të ashpër ndaj migrantëve dhe azilkërkuesve, sesa paraardhësi i tij i krahut të majtë, Alexis Tsipras.
Fraksion.com