Apeli i Bleinroth: Dorëzoni armët ilegale
Armët ilegale në duar të popullsisë në Ballkan ushqejnë krimin e organizuar e sulmet terroriste në Europë, thotë për DW Markus Bleinbroth, drejtori për Kontrollin e Armëve Konvencionale në Ministrinë e Jashtme në Berlin.
DW: Z. Bleinroth, një vit pas fillimit të nismës së udhëhequr nga Gjermania dhe Franca për ҫarmatimin deri në vitin 2024 të popullsisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, (BP) nga armët e lehta dhe të vogla të mbajtura ilegalisht, po zhvilloni në Tiranë takimin e dytë koordinues rajonal, në zbatim të udhërrëfyesit në luftën kundër trafikut të armëvë ilegale në rajon. Çfarë pritet nga ky takim?
Marcus Bleinroth: Ky takim shënon një hap të rëndësishëm përpara për arritjen e qëllimeve të Udhërrëfyesit Rajonal 2024, për zgjidhje të qëndrueshme kundër posedimit illegal, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të vogla në BP. Thelbi i nismës është të ndalojë trafikun ilegal të armëve. Ballkani Perëndimor ka grumbulluar një stok të madh armësh ilegale, që ushqejnë trafikun e tyre ilegal, krimin e organizuar në rajon dhe përtej tij. Takimi në Tiranë vjen pas atij në Sarajevë, në Maj, të këtij viti, ku u përcaktuan indikatorët për të matur progresin e nismës në 6 vendet e rajonit.
DW: Sa armë të vogla dhe të lehta ilegale ka aktualisht në duar popullsia e BP?
Marcus Bleinroth: Janë nga 4-6 milion, por shifra mund të mos jetë as e saktë, as e verifikueshme. Sfida jonë është të kontrollohen këto armë, sepse ato destabilizojnë jo vetëm rajonin, BE, por ushqejnë sulmet terroriste në Europë dhe tregun e zi të armëve.
DW: A keni të dhëna per trafikun e armëve nga Ballkani drejt vendeve të BE apo zonave ku ka konflikte të armatosura?
Markus Bleinroth: Nuk mund t’ju jap shifra të sakta, por kemi të dhëna nga Suedia, që është destinacioni i fundit, që trafiku i armëve nga Ballkani Perëndimor ka ushqyer krimin e organizuar dhe dhunën. Trafiku ilegal i armëve po prek një sërë vendesh, kryesisht vende tranzite. Gjermania psh është kryesisht një vend tranzit, armët nuk paketohen në Gjermani por gjithsesi si vend tranzit ka përgjegjësi për ta ndaluar trafikun.
DW: Si është situata konkrete në vendet e Ballkanit lidhur me stokun prej 6 milionë armësh ilegale? Kjo është një shifër e frikshme, alarmante, 30 % e popullsisë prej rreth 19 milion banorësh në Ballkanin Perëndimor, posedon ilegalisht armë….
Marcus Bleinroth: Tani për tani nuk dëshiroj të kaloj në detaje për gjashtë vendet e BP. Po përballemi me një rrezik që është i ndryshëm nga një vend në tjetrin por sfida është e përbashkët. Prandaj duam ta adresojmë në nivel rajonal pasi nisma është rajonale. Kjo është një përpjekje shumë e madhe dhe një model bashkëpunimi shumë i strukturuar që po jep rezultate. Jemi shumë optimistë që do të plotësojmë objektivin që deri në vitin 2024, BP të jetë një vend më i sigurtë, që eksporton stabilitet. Ky është një hap shumë i rëndësishëm sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që aspirojnë të bëhen anëtare të BE. Ka patur kthime pas, ngaqë pritshmëritë për të filluar shpejt negociatat e pranimit, për fat të keq, nuk u plotësuan.
Por ne e shohim shumë qartë të ardhmen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Rritja e përpjekjeve për t’u përgatitur për t’u bërë vende anëtare është shumë e rëndësishme dhe ҫështja specifike e shtimit të armëve është një shqetësim prioritar i publikut në shumë vende anëtare të BE. Me këtë nismë ne e pajisim BP me mjetet e duhura, japim asistencë teknike, mbështetje politike dhe financojmë procesin. Kemi një atmosferë pune shumë konstruktive, në secilin vend është punuar shumë. Kemi donatorët, përfaqësues nga 6 vendet e BP, agjencitë zbatuese, si OSBE, UNDP, NATO, takohemi dy herë në vit, kemi një takim ministerial në fund të janarit në Berlin, që do të drejtohet nga ministri i jashtëm i Francës ku do të marë pjesë dhe Komisioni Europian.
DW: Çfarë masash përmban Udhërrëfyesi Rajonal 2024?
Marcus Bleinroth: Përafrimin e legjislacioneve në 6 vendet e BP, standarteve, pajisjeve dhe trajnimit në të gjjithë rajonin dhe kontrollin e armëve të lehta dhe të vogla duke patur parasysh barazinë gjinore. Udhërrëfyesi Rajonal 2024 synon të parandalojë trafikun illegal të armëve të vogla dhe të lehta përmes kufijve të gjelbër dhe blu, forcojë sistemin e drejtësisë penale dhe arrijë një grumbullim efektiv të stokut të armëve të vogla dhe të lehta ilegale. Takimi në Tiranë po tregon se rajoni është plotësisht i angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv me të gjithë partnerët: BP, donatorë, organizata ndërkombëtare.
DW: Çfarë veprimesh konkrete po ndërmerren për të arritur objektivin e kësaj nisme: një BP më të sigurtë, pa armë ilegale në duart e popullsisë, një BP, që si thatë ju, eksporton siguri?
Marcus Bleinroth: Po forcojmë kufirin kundër trafikut ilegal të armëve, sistemin e drejtësisë penale që kontrabandistët të dënohen më efektivisht me burgim, synojme të zhvillojmë një fushatë të rëndësishme për mbledhjen e armëve. Kushdo që posedon ilegalisht, në 6 vendet e BP, armë të lehta dhe të vogla duhet t‘i dorëzojnë. Kanë disa opcione: t’i dorëzojnë armët me një amnisti, kjo varet nga vendi që duhet të shpallë amnistinë.
Nëse dikush mban një armë ilegale, atëhere shkon në burg, thjesht se e posedon atë. Në Shqipëri p.sh., dënimi është nga 3 – 4 vjet burg. Nëse policia gjen armë ilegale në shtëpinë e dikujt, atëhere personi dënohet me burg. Prandaj këshilloj gjithkënd të dorëzojë armën që e mban ilegalisht pasi ka mundësi që me amnistinë të mos dënohet. Kur këto masa të zbatohen, atëhere nuk do të ketë më hapësira për trafikim arnësh.
Do të jetë një veprim i menҫur, nëse kushdo që ka një armë ilegale ta dorëzojë ose ta legalizojë nëse është armë gjuetie. Dëshiroj t’i bëj thirrje popullsisë së rajonit, “Dorëzoni armët! Koha është që të bëheni vende normale, anëtare të ardhshme të BE. Vendet tuaja po zhvillohen, sistemet e sigurisë po përmirësohen. Për vetëmbrojtje nuk ju duhet arma juaj. Të qëllosh me armë pa përgjegjësi dhe shkaktosh viktima nuk është dicka që ju bën të lumtur.
DW: Si po ecën zbatimi i masave që ju përmendni? Shpresoj që mesazhi juaj të dëgjohet, por edhe masat konkrete të luajnë rol që ai mos të bjerë në veshë të shurdhër…
Marcus Bleinroth: Kemi filluar një numër projektesh të reja që na ndihmojnë direkt të arrijmë qëllimet e kësaj nisme. Kemi ndërmarrë një projekt në Bosnjë – Hercegovinë për të forcuar kontrollin e kufirit dhe brenda një periudhe të shkurtër kohe më shumë se 1.500 policë të policisë kufitare janë trajnuar për të zbuluar trafikun illegal të armëve në kufijtë e Bosnjë-Herzegovinës, që do të shtrihet në gjithë rajonin, të gjitha vendet e BP do të përfitojnë nga manualet e treinimit, pajisjet etj. Po zbatojmë një projekt pilot në Serbi për dhunën në familje, që është një problem i madh në gjithë rajonin, OSBE është duke zbatuar një projekt që forcon aftësitë për të zbuluar me qen nuhatës armë dhe ekspozivë, që do të shtrihet në gjithë rajonin.
Ne po eksportojmë modelin e një partneriteti të ri mes vendeve të BP, donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare. Për këtë model ka interes edhe përtej rajonit dhe BE: Afrika Perëndimore ka interes për të ndjekur këtë model, në Ukrainë kemi zbatuar një projekt të ngjashëm me OSBE apo në Karaibe, ku trafikimi i armëve po destabilizonte shumë shoqërinë. E kemi prezantuar modelin që po zbatojmë në BP në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe do ta bëjmë përsëri në korrik 2020.
DW: Z. Bleinroth, cili është raporti mes nismës për ҫarmatimin e popullsisë së BP deri në 2024 dhe reformimit të metodologjisë së zgjerimit që duket se rrit kohën e anëtarësimit të vendeve kandidate si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut? Franca, në variantin e sapo prezantuar te metodologjisë së re të zgjerimit flet për integrim sektorial, për 7 faza drejt hyrjes në BE.
Marcus Bleinroth: Me projektin tonë po përpiqemi të kemi nën kontroll të plotë trafikun e armëve ilegale dhe të ndihmojmë vendet e BP të plotësojnë kriteret ekzistuese. Nuk ka kushte të reja për vendet kandidate. Por kushtet ekzistuese, mund të plotësohen më lehtë dhe më shpejt përmes zbatimit të projektit tonë. Ne mobilizojmë vulletin politik dhe burimet financiare. Gjermania ka financuar vitin e kaluar me 7,5 milionë euro dhe këtë vit do të shtojë edhe 4 milionë euro të tjera. Në këtë nismë Gjermania është donator i fuqishëm bashkë me BE dhe Francën. Përveç vendeve anëtare të BE – Gjermania, Franca, Suedia, Hollanda, Norvegjia, Polonia edhe Mbretëria e Bashkuar po kontribuojnë dhe po marrim mbështetje nga vende jashtë BE si SHBA dhe Japonia, që është një gjë e jashtëzakonshme./DW
Fraksion.com