Nxitje dhe intensifikim i bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha trevat që ata jetojnë
Nxitja dhe intensifikimi i bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha trevat që ata jetojnë do të jetë në fokusin kryesor të Konferencës Mbarëkombëtare me temë “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.
Sipas Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme kjo Konferencë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha trevat që ata jetojnë.
Kjo konferencë zhvillohet me iniciativë personale të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, dhe ka si objektiv kryesor krijimin e një platforme të përbashkët dhe përmbajtësore bashkëpunimi në nivel mbarëkombëtar, thekson MEPJ.
Kreu i diplomacisë shqiptare do të jetë referuesi kryesor në këtë konferencë, në mënyrë që të parashtrohen qartë objektivat e diplomacisë së Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe do të lançohen disa projekte konkrete bashkëpunimi për të ardhme, ku fokusi do të jetë adresimi i problematikave me të cilat ndeshen shqiptarët në rajon.
Konferenca është konceptuar si një tryezë pune, e cila do të fokusohet në dy tema kryesore Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor dhe Roli i Diplomacisë së Shqipërisë në promovimin e trashëgimisë kombëtare.
Kjo konferencë do të bëjë bashkë përfaqësues shqiptarë nga jeta politike, akademike dhe e shoqërisë civile të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Preshevës, si Behgjet Pacolli, Genc Nimanbegu, Skënder Asani, Afrim Gashi, Shqiprim Arifi, e shumë të tjerë.
Ministri në Detyrë do t’i njohë gjithashtu të pranishmit edhe me kontributin e dhënë nga Qeveria shqiptare në dialogun e vazhdueshëm me qeveritë e shteteve fqinje në këtë drejtim.
Fraksion.com