Ngërçi në Kushtetuese; Komisioni i Venecias është gati për të dhënë opinionin e saj
Komisioni i Venecias ka shprehur gatishmërinë që të shprehë opinion në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Komisioni i Venecias ka theksuar se, nëse marrin një kërkesë nga autoritetet shqiptare, ato do të merren me të.
“Përgjigja është po. Nëse marrim një kërkesë nga autoritetet shqiptare, do të merremi me të”, është shprehur Komisioni i Venecias për ATSH.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi sot që palët t’i drejtohen Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, theksoi ambasada e SHBA.
Gjithashtu edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për këtë çështje.
“I bashkohem vlerësimit të partnerëve tanë strategjikë, SHBA-ve, por edhe BE-së, pasi edhe Kocijancic ka qenë në të njëjtën gjatësi vale për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij ngërçi të krijuar nga veprimet e mosveprimet e Presidentit, se për ne është shumë e rëndësishme vijimi i punës së Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Balla
Fraksion.com