AktualitetTë fundit

Lleshaj: Fuqizim i rolit dhe kompetencave të Prefektit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, për Ministrinë e Brendshme (Prefekturat, Gjendja Civile, Çështjet Vendore), u shpreh se për vitin e ardhshëm synohet fuqizimi i rolit dhe kompetencave të Prefektit.

Për këtë tha ai do ndërhyhet dhe në ligjin “Për Prefektin” në mënyrë që roli i Prefektit të vijë duke u rritur.

“Qeveria vlerëson se Prefekti, si institucion duhet të njohë një fuqizim të rolit të tij, në aspektin e marrëdhënies me njësinë e qeverisjes vendore, me bashkitë, në aspektin e planifikimit të nevojave të këtyre bashkive për pushtetin qendror, në aspektin e auditimit të këtyre njësive të pushtetit vendor. Po ashtu, Prefektura do të ketë një rol të rëndësishëm sa i përket koordinimit të degëve territoriale të pushtetit qendror, që janë vendoset në qark dhe në prefekturë. Prefekti do të vijë përditë e më shumë duke marrë një rol të qeverisë në nivel vendor, ashtu siç e përcakton ligji. Por për këtë i duhen dhënë instrumenta ligjorë, e së shpejti do të kemi një propozim për ndërhyrjen në disa vendime të Qeverisë dhe në ligjin “Për Prefektin” në mënyrë që roli i Prefektit të vijë duke u rritur. Të jetë ai ndërmjetësi në të gjitha raportet e qeverisë qendrore me pushtetin vendor,” u shpreh Lleshaj.

“Po kështu, – tha ai, – edhe në nivelin e Ministrisë së Brendshme do të donim ndërhyrje të caktuara, të cilat disa funksione, që sot janë shpërndarë në ministritë e tjera, të merren e të kalojnë te Ministria e Brendshme me qëllim që Ministria e Brendshme të luajë përherë atë rol që i takon me ligj, si një Ministri e pushtetit vendor, rol i cili për shkaqe të ndryshme, në këto vite, ka njohur njëfarë zbehjeje, por në vitin 2020 do të njohë një ridimensionim”.

Lleshaj u shpreh se do të vazhdojë puna për rikonstruksionin dhe restaurimin e godinës së Prefekturës së Tiranës, me një vlerë prej 40 milion lekësh, për të vijuar me tej në prefekturat tjera.

“Sa i përket Gjendjes Civile, kemi një investim modest të ri, që ka të bëjë me pajisjet elektronike për arsye se Gjendja Civile është tashmë një strukturë e cila funksionon, ose ofron shërbime kryesisht online dhe për ta përmirësuar më shumë cilësinë e shërbimeve të saj do të bëhen investime, pra blerje pajisjesh elektronike, që mundësojnë funksionimin normal të kësaj strukture.

Në vitin 2020, tha Lleshaj Garda e Republikës duhet të shtohet me 27 persona, ashtu sikurse edhe SHÇBA me 31 persona, ndërkohë që janë bërë disa zvogëlime për disa struktura të tjera, të cilat janë larguar nga fusha e përgjegjësisë e Ministrisë së Brendshme siç ka qenë Komisioni për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave.

“A kemi nevoja më shumë? Patjetër që kemi nevoja më shumë, por këto nevoja ne i kemi diskutuar në Qeveri, sigurisht nëse ju do të keni mundësi të ndikoni që kjo Ministri të marrë më shumë para, do të ishin të mirëpritur. Megjithatë ne jemi optimistë që buxheti që na është dhënë e mundëson që Ministria e Brendshme ta kryejë me sukses misionin, të realizojë objektivat e vendosura në programin qeveritar për vitin 2020,” u shpreh më tej ministri i Brendshëm.

 

Fraksion.com