Kremlini i sigurt në marrëdhëniet me Serbinë me gjithë aferën e dyshuar të spiunazhit
Zyrtarët në Kremlin u shprehën të bindur të enjten se marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë nuk mund të dëmtohen nga asgjë, pavarësisht që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar hetimin e raportimeve për një aferë të dyshuar spiunazhi, pas postimit në rrjetet sociale të një video regjistrimi, ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur të enjten nga gazetarët për këtë çështje tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror. Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”.
Në Beograd, presidenti serb priti ambasadorin, Alexander Bocan Harchenko, por nuk u dhanë hollësi pas takimit, ndonëse zyra e presidentit tha se takimi ishte pjesë e përgatitjeve për vizitën e tij në Moskë, në fillim të muajit të ardhshëm.
Autoritetet serbë thanë se më shumë informacione mund të jepen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që do të mbahet në orët e mbrëmjes.
Të mërkurën një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, tha se video regjistrimi i postuar me 17 nëntor në kanalin YouTube është autentik. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxori një zarf me para. Zyrtari i BIA-s serbe, Rela Zhelski, pohoi se në video shihet agjenti rus i zbulimit, Georgij Kleban, por nuk dha asnjë hollësi për agjentin e dyshuar serb.
Rusi Kleban ishte ndihmës i atasheut ushtarak në ambasadën ruse në Beograd deri në qershor të këtij viti.
Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Serbët e shohin Rusinë si mbrojtëse të tyre edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian./VOA
Fraksion.com