Ambasada e SHBA: Palmer bisedë telefonike me Metën
Lajmi është konfirmuar nga burime të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Siç konfirmon Ambasada e SHBA-së për ATSH, Palmer zhvilloi mbrëmjen e djeshme një bisedë telefonike me Metën, por nuk dha detaje të tjera nga ky bashkëbisedim dhe çfarë konkretisht është diskutuar.
Në një deklaratë zyrtare, Ambasada e SHBA-së reagoi lidhur me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Ambasada theksoi se “në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”.
Sipas Ambasadës Amerikane, institucionet gjyqësore shqiptare, Kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara.
“Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat”, deklaroi sot Ambasada Amerikane.
Fraksion.com