Sheshi “Taulantia” në Durrës po shndërrohet në një park qendror
Vija bregdetare e qytetit të Durrësit dhe Sheshi “Taulantia”, nga një zonë e amortizuar dhe me vend depozitime të shumta mbetjesh pranë detit, po shndërrohet në një park qendror, duke ofruar më shumë hapësira publike jo vetëm për rreth 175 mijë banorë të qytetit bregdetar, por edhe turistët.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit informoi sot në sheshin “Taulantia” në zonën më kryesore të qytetit të Durrësit vijojnë punimet me ritëm të lartë.
Aktualisht punimet për këtë objekt janë fokusuar në realizimin e mbrojtjes detare me gurë, përgjatë murit të betonit, gërmime dheu dhe sistemime, betonim i shkallareve buzë detit, si dhe çmontimi i pllakave të amortizuara të trotuarit ekzistues.
Ndërkohë paralelisht po punohet me piketime sipas projektit dhe në proceset mbushje me çakull, ngjeshje me rrul, lidhje hekuri, si dhe vendosje armature.
Me një numër të konsiderueshëm turistësh në çdo sezon të vitit, ndërhyrja në këtë zonë synon një zhvillim të mëtejshëm të qytetit, në drejtim të ekonomisë, turizmit dhe aktiviteteve sociale.
Nisur nga statistikat në veprimtarinë e Portit të Durrësit, kanë mbërritur vetëm gjatë një të diele, 623 turistë nga 28 vende të botës. Shifra të cilat dëshmojnë se qyteti është kthyer në një nga destinacionet, i vizitueshëm në çdo stinë të vitit.
Rikonstruksioni i sheshit “Taulantia” po zbatohet nga FSHZH në kuadër të projektit “investime prioritare me impakt në zhvillimin dhe promovimin e turizmit”.
Me financim të qeverisë shqiptare kjo ndërhyrje pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, duke rijetëzuar jo vetëm zonën në projekt, por gjithashtu duke ripërcaktuar raportin e këtij qyteti me detin.
Fraksion.com