AktualitetTë fundit

Rama: Kruja e rilindur, atraksion turistik

Kryeministri Edi Rama  ka sjellë sot pamje nga Kruja e rilindur turistike, ku duket ndryshimi që ka pësuar pjesa tradicionale e qytetit.

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar  qytetin historik të Krujës pas dy dekadash të harresës.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri që të çon në periudhën arkitekturore osmane.

Mbi 17 mijë banorë të Krujës, por edhe mijëra turistë që vizitojnë këtë qytet, përfituan nga financimet e qeverisë për qendrën e rikualifikuar dhe rrugën hyrëse në qytet.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në Krujë është bërë rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër, rruga e Kalasë dhe Kulla e saj, duke i dhënë Krujës turistike pamjen mikpritëse që meriton.

Parkimi nëntokësor, rregullimi i rrugës hyrëse dhe krijimi i hapësirave me ndriçim dhe gjelbërim e bënë këtë qytet më tërheqës për turistët.

Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvenire e tjerë.

Pazari i Krujës është një destinacion shumë atraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës së veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike.

Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.

Në zonën ku shtrihet Pazari i Krujës janë realizuar edhe punime restauruese, ku projekti restaurues i të gjitha dyqaneve përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike të veçanta në Shqipëri.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik

“Mirëmëngjes dhe me pamjet nga Kruja e rilindur turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebbok.

 

Fraksion.com