AktualitetPolitikëTë fundit

“Borchardt non grata”: Reagimi i OSBE-së nga Vjena

Pas shpalljes së ambasadorit Bernd Borchardt si i pa dëshiruar në zyrën e presidentit Ilir Meta vjen reagimi i parë nga zyra qendrore e OSBE në Vienë.
Top-Channel, i kërkoi OSBE-së një qëndrim për këtë zhvillim me ambasadorin Borchardt, i cili pasditen e të martës është nisur për në Vienë, nga ku ai do të paraqesë të enjten, raportin vjetor të punës së presences në Shqipëri, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

Përgjigja nuk është e drejtëpërdrejtë, por tejet diplomatike duke lënë të kuptohet se OSBE në Vienë, nuk preferon ta agravojë situatën e paprecedentë në këtë përplasje.

Në përgjigjen e zëdhënëses Mersiha Čaušević Podžić thuhet:

“OSBE-ja është njohur me notën verbale të lëshuar nga Zyra e Presidentit. Si partnere afatgjatë e Shqipërisë, OSBE-ja nxit dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet shqiptare dhe mbetet e përkushtuar të ofrojë ndihmë dhe mbështetje të përqendruar në përparimin e agjendës kombëtare të vendit.”

Në letrën dërguar Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen, presidenca thoshte se “Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

Në fakt nëse shikojmë deklaratën e ambasadorit Bernd Borchardt ditën kur presidenti çdekretoi 30 qershorin, kreu OSBE nuk mbajti asnjë qëndrim pro a kundra dekretit të presidentit.

Bernd Borchardt atë ditë i pyetur nga media se cili ishte qëndrimi i tij lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, tha:

“Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com