Strategjia franceze; Schallenberg: Duhet të sigurohemi për hapjen e negociatave me Shqipërinë
Alexander Schallenberg, Ministri Federal për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë deklaroi sot se, duhet të sigurohemi se vitin e ardhshëm me të gjitha mënyrat do të ketë një dritë jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
I pyetur nga mediet përpara nisjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE, se çfarë mendon për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për strategjinë franceze për zgjerimin, Schallenberg tha se, “është e rëndësishme që ta diskutojmë këtë, pas mosmarrjes së një vendimi tetorin e kaluar, ne nuk duhet thjesht të kthehemi në rendin e ditës. Ne kemi kërkuar të zhvillojmë sot debatin në Këshill. Një letër e Austrisë që do i shpërndahet edhe disa vendeve të tjera, ku ne deklarojmë se jemi të gatshëm për një reformë të procesit të zgjerimit të BE-së, ka gjithmonë vend për përmirësime, por kjo nuk duhet të çojë në një taktikë të vonuar në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe perspektivën e tyre europiane”.
I pyetur mbi perspektivën europiane të këtyre vendeve sipas dokumentit të Francës, Schallenberg theksoi se, “ne sigurisht që do të diskutojmë axhendën. Ajo që është e rëndësishme është që dokumenti thekson shumë qartë perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që si e tillë nga këndvështrimi francez, është i mirëpritur nga ana jonë”.
Së dyti, shtoi ai, “Këshilli Europian ka rënë dakord që vitin e ardhshëm t’i rikthehet kësaj çështjeje. Ne duam të sigurohemi që vitin e ardhshëm me të gjitha mënyrat do të ketë një dritë jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit. Sepse kjo është mënyra më e mirë për t’i detyruar këto vende të kryejnë reforma dhe nuk do të ishte e arsyeshme që ato të hiqnin dorë. Nëse do të jetë në mars ose prill, kjo nuk është e rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është që kjo çështje të diskutohet sërish”.
Fraksion.com