AktualitetPolitikëTë fundit

“Politika e zgjerimit”; Tuppurainen: BE nuk do t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor

Ministrja e Finlandës për Çështjet Europiane, Tytti Tuppurainen deklaroi sot se, “Bashkimi Europian nuk do t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor”.

E pyetur nga mediet përpara nisjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE, se çfarë mendon për hapjen  e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për strategjinë franceze për zgjerimin, Tuppurainen tha se, “nuk do të diskutojmë sot iniciativën franceze. Sot do të diskutojmë për politikën e zgjerimit. Do të japim mbështetjen tonë të plotë për politikën e zgjerimit dhe duam t’i japim një mesazh të fortë për angazhimin tonë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Ajo shtoi se, “ BE do t’i kthehet këtij vendimi pranverën e ardhshme”.

“Është mirë që shtetet anëtare kanë propozimet e tyre. Kjo i jep vazhdimësi procesit, por ne duhet të presim që Komisioni i ri të nisë punën dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në këtë proces në mënyrë që të mund të kemi një marrëveshje unanime për zgjerimin”, tha Tuppurainen.

Por, theksoi ajo, “është shumë e rëndësishme që sot do t’i dërgojmë mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor që Europa nuk do t’i kthejë shpinën”.

 

Fraksion.com