OEK: Marrëveshja Kosovë – Serbi, do të rriste investimet
Një studim i Odës Ekonomike të Kosovës vë në pah se një pjesë e madhe e bizneseve në vend besojnë se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës e Serbisë do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja dhe eksporteve ndërsa do t’i hapte më shumë mundësi përqendrimit të qeverisë në politikat e zhvillimit ekonomik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, gjatë prezantimit të studimit tha se e ndërmarrjeve besojnë se një marrëveshje normalizimi me Serbinë do të pasohej me hapa pozitiv për vendin.
“Në pyetjen që lidhet me ndikimet e marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në lidhje me atë se a do të ndikoj kjo që Kosova të ketë një performancë më të mirë në zhvillim sidomos sa i përket eksporteve dhe bizneseve me vendet e rajonit, 41 për qind e ndërmarrjeve konsiderojnë që po ndërsa 33 për qind ndoshta, vetëm 16 për qind nuk konsiderojnë se do të ketë ndikim kjo marrëveshje”, tha zoti Rukiqi.
Ai përmendi përfitimet të cilat bizneset i kanë radhitur si të pritshme pas arritjes së një marrëveshjeje.
“Në përgjithësi për 41 për qind e ndërmarrjeve të Kosovës konsiderojnë se në rastin e arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, diku 41.6 për qind do rriten eksportet, ndërsa 33 për qind përgjigjen me ndoshta. Gjithashtu, 66 për qind e bizneseve konsiderojnë se ulen kostot e transportit për shkak të barrierave që janë të njohura apo pengesat që i ka bërë Serbia për tranzitin”, tha zoti Rukiqi.
Situata politike e deritashme sipas bizneseve ka ndikuar shumë edhe në ngecjet ekonomike me të cilat përballet Kosova.
“Në pyetjen se sa ka ndikuar negativisht Serbia në zhvillimin e bizneseve të Kosovës, 75 për qind e bizneseve konsiderojnë që ka pasur ndikim negativ, do të thotë është një shumicë dërmuese që besojnë se në këtë periudhën kur Kosova ka pasur mundësi për një zhvillim shumë më të shpejtë ekonomik, Serbia ka pasur ndikim negativ për shumë arsyeje dhe arsyeje kryesore që i theksojnë bizneset janë: kufizimi i eksportit si rezultat i barrierave, humbja e tregjeve, konkurrenca e pa drejtë, dëmtimi i imazhit të Kosovë nga vetvetja”, tha Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Në studim thuhet se “64 për qind e bizneseve mendojnë se do rriten investimet e huaja në rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, rreth 91 për qind vlerësojnë se qeveria do të ketë një përqendrim më të madh në zhvillimin ekonomik”.
Kosova aktualisht është në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit për të ngritjen e qeverisë së re e cila do të përballet me trysninë për ripërtëritjen e bisedimeve me Serbinë, të pezulluara një vit më parë./VOA
Fraksion.com