AktualitetPolitikëTë fundit

Ja se çfarë i kërkuan Metës aleatët në takimin prej 90 minutash

Zbardhen detaje të reja nga takimi rreth 90 minuta i Presidentit Ilir Meta me përfaqësuesit e partive të opozitës jashtëparlametare.

Sipas burimeve, opozita e bashkuar ka deklaruar gjatë takimit me Presidentin se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. Burimet konfirmojnë se opozita po punon për një draft të reformës zgjedhore që pritet të prezantohet javën e ardhshme.

Gjithashtu në takimin Metës me Bashën dhe aleatët e PD u diskutua edhe për shpërndarjen e Parlamentit.

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, priti paraditen e sotme në një takim përfaqësuesit e partive të koalicionit opozitar. Takimi, i cili u mbajt në Presidencë, nisi në orën 09:00 dhe përfundoi në orën 10:30.

PD përfaqësohej nga Lulzim Basha, LSI nga Petrit Vasili, PDIU nga Mesila Doda, LZHK nga Dashamir Shehi, PDK nga Nard Ndoka, PBDNJ nga Vangjel Dule, PAA nga Agron Duka.

Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë preferuar të komentojnë pas takimit, por Presidenca pritet të ketë një njoftim zyrtar dhe më pas dhe një komunikim i kreut të PD-së, Lulzim Basha për median.

Në ftesën drejtuar opozitës, Kreu i Shtetit theksonte nevojën e takimit “urgjent për situatën dramatike” që sipas tij po kalon vendi.

Lulzim Basha këtë alarm e ka ngritur prej kohësh ndaj dhe i është përgjigjur pa hezitim thirrjes.

“E kam pranuar dhe e kam konfirmuar, nesër në orën 9”, deklaroi Basha dje nga Lezha.

Nisma e presidentit për takim erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.

 

Fraksion.com