Foggo: Të zgjedhurit e rinj të cojnë Kosovën drejt përparimit
Komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo tha të martën se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të mbështesin sigurinë dhe paqen në Kosovë ndërsa përgëzoi autoritetet në vend për procesin zgjedhor të 6 tetorit.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse të NATO-s. Gjenerali italian Michele Risi, pason në këtë post gjeneralin Lorenzo D’Addario.
Admirali Foggo tha se gjatë njëzet viteve të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovës janë arritur shumë gjëra të jashtëzakonshme dhe sipas tij Kosova tani është më e sigurt dhe më e qëndrueshme. Ai tha se megjithatë mbetet ende punë për t’u bërë ndërsa veçoi ecurinë e mirë të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Tani keni mundësi të formoni një qeveri të re, mendoj që zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për ecurinë në ditën e votimeve gjithandej Kosovës. Ju them popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të rinj të zgjedhur që ta çojnë këtë vend drejt të ardhmes, drejt qëndrueshmërisë dhe përparimit”, tha admirali Foggo.
Gjenerali Italian, Michele Risi i cili mori detyrën e komandantit të forcave të KFOR-it në Kosovë tha se do të vazhdoj kontributin e tij në vazhdimin e qëndrueshmërisë dhe do të ofroj siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Nëpërmjet mandatit të KFOR-it dhe nën udhëheqjen e Admiralit Foggo, unë do të mbështesë dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha kapacitetet e mija, për të kontribuar përparimin në Ballkanin Perëndimor, një rajon ky i rëndësishëm strategjik për rajonin Euro-atlantik”, tha gjenerali Risi.
Kosova aktualisht është në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit për ngritjen e qeverisë së re e cila do të përballet me trysninë për ripërtëritjen e bisedimeve me Serbinë, të pezulluara një vit më parë./VOA
Fraksion.com