AktualitetBota+Të fundit

Shtetet e BRICS, fuqi gjeopolitike alternative kundër SHBA?

Alexander Busch

 

Në një pikë shtetet e BRICS janë kryesisht dakord – të pozicionohen gjithnjë e më shumë kundër SHBA. Por edhe mes tyre ka dallime, mes tyre janë zhvilluar interesa të kundërta.

Ishte si të takohesh me miq të vjetër, tha presidenti brazilian Jair Bolsonaro pas takimit të krerëve të shteteve të BRICS në Brazilia. Vërtet që krerët e shteteve dhe qeverive afroheshin me njëri-tjetrin nga mosha dhe gjinia: Presidentët e Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës Jugore janë mbi 60 vjeç. Por për gjetur të përbashkëta të tjera duhet që ata të mundoheshin më shumë në samitin e zhvilluar në Brazil, vendin që mban presidencën e radhës në bllokun BRICS.

Kritika për SHBA, por jo hapur

Në deklaratën përfundimtare u ra dakord që të nxitet multilateralizmi, dhe u kritikua proteksionizmi. Po ashtu u ra dakord të zgjerohet tregtia brenda bllokut. Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë u kritikua SHBA nën presidentin Trump, por jo hapur, sepse presidenti populist i djathtë i Brazilit është një fan i deklaruar i presidentit amerikan. Edhe për Indinë, SHBA është partner i rëndësishëm strategjik tregtar. Megjithatë samiti tregoi, se konflikti i interesave mes vendeve të BRICS është shtuar, e nga ana tjetër ka rënë rëndësia e këtij blloku si bashkim ekonomik i vendeve të mëdha në ekspansion.

Ishte Jim O`Neill, kryeekonomisti i Bankës Investuese, Goldman Sachs, ai i cili i bashkoi në vitet 2000 vende si Brazili, Rusia, India, e Kina nën akronimin BRIC – bazuar në aspektin e fuqisë ekonomike në rritje. Në vitin 2010 për arsye politike pjesë e bllokut u bë edhe Afrika Jugore. Por nga ky bllok që numëron 40% të popullsisë së botës dhe mban rreth një të tretën e produktit ekonomik botëror është krijuar një konfiguracion heterogjen.

Të lënë pas nga Kina e India

Vërtet që „ndarja e punës” në ekonominë botërore është si në fillim të krijimit të BRIC – sipas O’Neill, Kina është prodhuesi industrial (reparti prodhues i botës), India ofruesi i shërbimeve (reparti i mendjes), Brazili është furnizuesi agrar dhe lëndëve të para (ushqyesi) dhe Rusia prodhuesja e naftës dhe gazit (pika e karburantit e ekonomisë botërore). Por Kina dhe India ndërkohë kanë një rritje galopante ekonomike dhe i kanë lënë pas shtetet e tjera të BRICS.

Pjesa e tyre në ekonominë botërore është rritur nga 12 në 27%, sipas FMN-së. Kurse Rusia, Afrika Jugore dhe Brazili përkundrazi kanë humbur nga 7 në 6%. Brazili dhe Afrika Jugore pas shumë vitesh krize kanë mbetur fuqi rajonale në periferi të ekonomisë botërore. Rusia si fuqi ushtarake ka mbetur lidere në grup.

Megjithatë, fakti që krerët e këtyre shteteve, megjithë interesat e ndryshme e morën rrugën për në Brazil, tregon se, sa rëndësi i japin ata këtij blloku si një qendër alternative gjeopolitike.

Secili për vete

Presidenti kinez, Xi Jinping kritikoi rritjen e proteksionizmit në të gjithë botën, që do të çojë në paralizimin e tregtisë dhe investimeve. Ai u pozicionua në Brasilia si mbrojtës i tregut të lirë, i klimës dhe nxitës i ekonomisë digjitale, qartësisht si alternativë ndaj Trumpit. Kurse presidenti rus, Vladimir Putin, ekonomia e të cilit vuan nga sanksionet e BE, deklaroi interesin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e farmacisë, të stacioneve kozmike, teknologjisë IT dhe asaj nukleare. Presidenti i Indisë, Narendra Modi kërkon të zgjerojë tregtinë e lirë brenda BRICS.

Vetëm mikpritësi Jair Bolsonaro ishte mjaft i rezervuar në deklaratat politike. Ajo që ra në sy ishte përpjekja për afrim me presidentin kinez. Në fushatën zgjedhore para një viti, Bolsonaro kishte sulmuar ekspansionin kinez në Brazil. Kurse tani ai duket mirënjohës për koncernet e energjisë nga Kina, që ndihmuan që tenderi për fushat me naftë të mos  dështojë plotësisht. Xi u tregua zemërgjerë dhe bëri të ditur një fond investimesh në 100 miliardë dollarë për projekte infrastrukturore. 15 miliardë dollarë do të ofrohen menjëherë, kur Brazili të dëshmojë pjesëmarrjen me 5 miliardë dollarë./DW

 

Fraksion.com