Shqyrtohet buxheti i vitit 2020 për KLP dhe KLGJ
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi kërkoi sot në komisionin e Ligjeve, gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, rritje të fondeve.
Kryetari i KLP, Genti Ibrahimi u shpreh se nevoja për një fond shtesë që ka të bëjë me sigurimin e pajisjeve të regjistrimit të mbledhjeve të Këshillit.
“Në periudhën e diskutimit të shpenzimeve që do të diktoheshin në lëvizje e Këshillit të Lartë të Prokurorisë te godinat e reja, me urdhër të kryeministrit është ngritur një grup pune për polin e drejtësisë, dhe ku grup pune do të duhet të përcaktonte shpenzimet dhe burimin e shpenzimeve. Në këtë grup punë është përcaktuar që shpenzimet të mbuloheshin nga fondi rezervë i KM. Me sa duket kjo gjë nuk është e mundur dhe ne do të duhet të lëvizim në një godinë të re në të cilën nuk ekziston një sistem i regjistrimit të mbledhjeve të këshillit, pasi për një organ kolegjial, regjistrimi është jetik. Në këto kushte ne kemi një preventiv dhe kjo tregon se ne do të kemi nevojë për një investim shtesë prej 15 milionë lekësh”, tha ai.
Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami kërkoi rritje të fondeve të buxhetit për vitin 2020.
“Kërkojmë 28 mln lekë për të përballuar shpenzimet për fillimin e aktivitetit te godina e re, sistemi audio dhe video dhe gjeneratorët. Kërkojmë të na miratoni 60 mln lekë për shpenzime operative, 40 mln lekë investime për gjykatat dhe 100 mln lekë në investime për menaxhimin elektronik dhe shtesën për KED-në” tha ajo.
Fino theksoi se qeveria është treguar koherente dhe dorëlëshuar.
“Afro 50% më shumë do të jetë buxheti se vitin e kaluar. Totali i investime krahasuar me 2019 është 40,7%. Ju keni lekë për t’i harxhuar, 150 mln lekë të reja për dy muajt e fundit, vetëm për shpenzime, se ato janë të shpërndara njëlloj. Gjithashtu u shtohen 100 punonjës”, tha Fino.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se “jemi dakord që 25 mln lekë t’i merret Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa për KED, nuk e di nëse do të vijohet të operohet të akordohet fond nga buxheti rezervë, pasi është organ kushtetues dhe jo i përkohshëm, por nuk besoj se ka pasur nevoja aq të mëdha”.