AktualitetNATO/BETë fundit

“Koalicioni Cyber”; 1.000 ekspertë do të testojnë mbrojtjen e NATO-s në internet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti Presidenten e Estonisë Kersti Kaljulaid në Selinë e NATO-s të hënën (18 nëntor 2019).

Ata  diskutuan përgatitjet për takimin e ardhshëm të liderëve të NATO-s në Londër.

“Eshtë e qartë se NATO është jetike për sigurinë tonë, për paqen dhe prosperitetin në Evropë,” tha Sekretari i Përgjithshëm.

Ai gjithashtu vlerësoi kontributet e Estonisë në misionet e NATO-s, si dhe udhëheqjen e saj për mbrojtjen në internet dhe shpenzimet e mbrojtjes, në një konferencë të përbashkët për shtypin.

“Kemi diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë çështje që janë në axhendën tonë ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Liderëve në Londër në dhjetor”, tha Stoltenberg.

“Eshtë e qartë se një NATO e fortë është jetike për sigurinë tonë, për paqen dhe prosperitetin në Evropë.
Ndërsa ndonjëherë shohim ndryshime midis Aleatëve, ne vazhdojmë të punojmë së bashku çdo ditë dhe bëjmë më shumë së bashku.

Për ta mbajtur NATO-n të fortë, duhet të vazhdojmë të adaptohemi, me strukturën komanduese moderne, me më shumë forca në gatishmëri më të lartë dhe me kërkesa të reja për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë 5G.

Takimi i Liderëve do të jetë gjithashtu një mundësi e rëndësishme për të adresuar ndarjen më të drejtë të Aleancës. Deri në fund të vitit të ardhshëm, Aleatët Evropianë dhe Kanada do të kenë shtuar 100 miliardë dollarë shtesë për shpenzimet e mbrojtjes, gjë që bën një ndryshim të vërtetë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai falënderoi Estoninë për kontributet e saj të vlefshme në sigurinë e përbashkët. “Ju drejtoni me shembull duke shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen dhe e keni bërë atë në të vërtetë për shumë vite. Trupat tuaj janë në Afganistan, ku ata ndihmojnë për të trajnuar dhe këshilluar forcat afgane të sigurisë për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar, dhe ju keni vullnetarizuar aftësitë tuaja kombëtare në internet në misionet dhe operacionet e NATO-s. Ju jeni një komb udhëheqës kur bëhet fjalë për mbrojtjen kibernetike”.

Stoltenberg tha se muajin tjetër, Estonia do të jetë organizatore e “Koalicionit Cyber”,  një nga ushtrimet më të mëdha të mbrojtjes kibernetike në botë. “Kjo është e rëndësishme për tërë NATO-n me 1.000 ekspertë nga Evropa dhe Amerika e Veriut, ku ata do të testojnë aftësinë e tyre për të mbrojtur NATO-n dhe rrjetet kombëtare kibernetike. Ushtrime të tilla kontribuojnë në sigurinë tonë kolektive dhe demonstrojnë rëndësinë e unitetit transatlantik.

NATO përfiton shumë nga kontributet e Estonisë dhe Estonia përfiton nga të qenurit pjesë e NATO-s, aleanca më e fortë në histori. Avionët aleatë mbajnë qiellin tuaj të sigurt, anijet aleate patrullojnë Detin Baltik dhe grupet e betejave të NATO-s në rajon parandalojnë konfliktin dhe ruajnë paqen”, përfundoi deklaratën e tij Sekretari i Përgjithshëm, duke vlerësuar kontributet e Estonisë në Aleancë.

Fraksion.com