AktualitetBota+Të fundit

Kili; Kushtetutë e re, por sa më shpejt

Fakti që qeveria dhe partitë e opozitës kanë rënë dakord të hapin rrugën për një kushtetutë të re është me të vërtetë një hap historik. Por procesi duhet të fillojë shumë më shpejt.

Kili do të bëhet me një kushtetutë të re, më në fund. Tridhjetë vjet pas fundit të diktaturës së Pinoçetit, një kushtetutë me legjitimim demokratik, një kushtetutë që të krijohet dhe mbështetet nga një shumicë e gjerë. Ky është një sukses i pabesueshëm i protestave masive të javëve të fundit dhe që në thelb do të ishte një arsye për të brohoritur. Por një vështrim në detaje mjafton, për ta kthyer brohoritjen në një tundje me mosbesim të kokës.

Kilianët do të votojnë në prill nëse e duan vërtet një kushtetutë të re dhe se cila duhet të jetë përbërja e Asamblesë kushtetuese. Në prill! Deri atëherë janë gjashtë muaj. Asambleja do të zgjidhet në shtator, kështu që puna mund të fillojë vetëm pas dhjetë muajsh. Vendi ka qenë në trazira prej shumë javësh, sepse një shumicë e madhe njerëzisht thjesht është ngopur me gjithçka, me pabarazinë, me mungesën e perspektivës dhe me mungesën e përgjegjësisë sociale të shtetit, të fiksuar në kushtetutën e vjetër. Njerëzve padyshim u është sosur durimi. Nëpër rrugë jehon thirrja “Kili është zgjuar”, por politika dëshiron të vazhdojë në vagonin e gjumit.

Një proces i padëshiruar?

Është e vështirë të përfytyrosh se një zgjidhje e tillë që kërkon kaq shumë kohë do ta qetësonte menjëherë vendin në pikëpamje sociale dhe do të çonte në përfundimin e demonstratave masive. Procesi i thirrjes së një Asamblejeje Kushtetuese zgjatet kaq shumë, sa të krijohet përshtypja se ai nuk kërkohet me të vërtetë nga disa palë. Në fakt, nga ana e qeverisë shumë deputetë nuk mendojnë, se është e nevojshme një kushtetutë e re, kurse shumë në opozitë do të donin një procedurë të ndryshme. Edhe më e rëndësishme është në këtë situatë që palët ranë dakord për një kompromis, duke kapërcyer ndarje të thella politike dhe duke thyer një tabu prej dekadash.

Ritëm më i shpejtë, por me kujdes!

Në mënyrë që ky kompromis të shërojë plagët e shkaktuara shoqërisë kiliane edhe në javët e fundit, ai duhet të zbatohet më shpejt. Sigurisht, vendimet politike në një demokraci kanë nevojë për më shumë kohë dhe mbi të gjitha, hartimi i kushtetutës së re do dhe duhet të jetë një proces i gjatë. Por referendumi dhe zgjedhja e Asamblesë Kushtetuese tashmë janë vendosur, ato thjesht duhet të zhvillohen shumë më herët.

Çdo ditë tjetër, në të cilën demonstratat paqësore përfundojnë në përleshje të dhunshme me policinë, e ndan më shumë vendin dhe dëmton besimin për një ndryshim jo të dhunshëm të kushteve. Ajo shkatërron besimin në institucionet demokratike, pa të cilat në fund të fundit nuk mund të bëhet shtet. Por në fund, Kilit i duhet një shumicë e gjerë për një kushtetutë të re./DW

 

Fraksion.com