AktualitetTë fundit

Kapet hajduti; Vidhte aparaturat e shpërndarjes së sinjalit televiziv te ’21 Dhjetori’ (Video)

Një 50-vjeçar, i cili vidhte aparaturat e shpërndarjes së sinjalit televiziv tokësor dhe satelitor, në një kompleks pallatesh në zonën e “21 dhjetorit” ka rënë në prangat e policisë.

Arrestimi i tij u bë pas denoncimit të banorëve ndërsa pamjet filmike i dhanë një dorë të fortë policisë për identifikimin e tij.

“Si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin dhe këqyrjes së pamjeve filmike është bërë i mundur identifikimi i autorit të vjedhjes në mënyrë të përsëritur të aparaturave të shpërndarjes së sinjalit televiziv  tokësor dhe satelitor, në një kompleks pallatesh, në zonën e 21 dhjetorit” njofton policia.

Autori i dyshuar, shtetasi A. H., 50 vjeç është mbajtur nën vëzhgim dhe është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, duke vjedhur përsëri aparaturat e shpërndarjes së sinjalit televiziv.

Si rezultat i veprimeve të kryera, janë identifikuar edhe personat që kishin përvetësuar sendet e vjedhura nga ky shtetas, konkretisht shtetasit Sh. Xh. e P. D., banues në Tiranë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë për “Pervetesimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

 

Fraksion.com