AktualitetKosovaTë fundit

“Ekstremizmi fetar”; Thaçi: Kosova do të jetë gjithmonë kundër

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i pranishëm në konferencën ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” e cila po mbahet në Tiranë, u ndal tek sfidat e forta që ka kaluar shoqëria shqiptare në Kosovë.

Ai tha se shqiptarët kanë bashkëpunuar dhe kanë jetuar në bashkëjetesë të plotë fetare pa shkaktuar asnjë konflikt të tillë.

“Vitet fundit në historinë e njerëzimit anë e mban botës janë karekterizuar me një shpërthim të mosdurimit. Ne të gjithë jemi para Zotit të njëjte edhe kur ka paqe dhe mirëkuptim në mes nesh, në të të kundërtën kur nuk ka tolerancë politike dhe fetare rrezikohet paqja, keqpërdoret feja në shërbim të qëllimeve ditore politike. Ata që nuk mendojnë se të gjithë njerëzit janë të njejtë , ata janë kundërshtarë të paqes. Kombi shqiptar ka dhënë dhe jep një shembull pozitiv, të mirë dhe shumë të qëndrueshëm. Kjo vlerë tradicionale duhet të ruhet dhe të pasurohet çdo ditë.

Kosova ka shumë arritje. E arritura e parë është se nuk kemi lejuar në luftën për liri dhe pavarësi të implikohet feja. Luftëtarët nuk kanë lejuar asnjë ideologji të bëhet pjesë e luftës për liri dhe pavarësi. Asnjëherë nuk kemi pasur konflikt fetar. Udhëheqësit  fetarë kanë ndërtuar  ura bashkëpunime mes tyre, takohen në festa dhe kërkojnë rrugë bashkëpunim mes tyre dhe kështu dërgojnë mesazhin e tolerancës dhe bashkëjetesës”-tha ai.

Thaçi foli edhe për radikalizmin fetar dhe shqiptarët që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja. Sipas tij, Kosova ka dëshmuar dhe do të dëshmojë me krenari që mbështet aleancën kundër ekstremizmit fetar, ndërsa shtoi se vendi i tij po punon për rehabilitimin e të kthyerve nga llogoret e luftërave ekstremiste.

“Edhe në Kosovë jemi përballur me radikalizmin. Në si shoqëri dhe si shtet kemi reaguar. Kosova do të jetë gjithmonë kundër ekstremizmit. Kemi marrë masa ndaj atyre që kanë nxitur urrejtje dhe pjesëmarrje ne luftëra të huaja. Po punojmë me të kthyerit nga luftërat.  Mbajtja gjallë e frymës dhe tolerancës është sfidë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen”, tha  ai.

 

Fraksion.com