AktualitetPolitikëTë fundit

Balliu: Projektit të Unazës së Re është korruptiv

Ish deputeti i PD, Klevis Balliu, në një konferencë për mediet ka folur për projektin e Unazës së re, të cilin e cilëson si korruptiv.

“Që prej një viti, Partia Demokratike ka publikuar dokumente dhe të dhëna që tregojnë se projekti i Unazës së Re u nis si një projekt për të vjedhur, duke shkelur disa nga rregullat kryesore për ndërtimin e një vepre të tillë. Rol kyç në skemën e vjedhjes me projektin e Unazës së Re ka Agjencia e Rrugëve, e cila, në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve, ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE CONSULTING. Dokumentat provojnë se projekti teknik është jo i plotë. Atij i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e 16 Tetorit 2018 e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve”, tha Balliu para medieve.

Duke theksuar se mungesa e një studimi të tillë sjell pasoja juridike në pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të projektit, ai shton se “duke mos patur një studim të fazes së parë të projektit, shkaktohet edhe një dëm i madh ekonomik, pasi volumet e punës llogariten keq, aksi i rrugës zhvendoset sipas interesave korruptive të momentit dhe rritet kostoja e punimeve”.

Balliu i bën thirrje Prokurorisë të hetojë këtë projekt. “Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dokumentat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve. Një prokurori e pavarur, që nuk sakrifikon drejtësinë për t’ia hedhur vetingut, ka në dorë të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij projekti korruptiv dhe të pavlefshëm juridikisht tek Unaza e Re”, tha Balliu.

 

Fraksion.com