“Shantazhi nga zyra e presidentit”; Kuvendi miraton rezolutën kundër Metës
Kuvendi i Shqipërisë votoi me 97 vota pro një rezolutë përmes së cilës argumenton pse presidenti Ilir Meta gaboi me dekretin për Marsida Xhaferllarin si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, ndësa meret angazhimi për të zgjidhur ngërçin në këtë institucion, duke rishikuar legjislacionin. Kështu, Kuvendi tenton të pengojë krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit. Përmes rezolutës, Kuvendi e konsideron nul këtë dekret dhe kërkon që ai mos të zbatohet.
Për të shmangur që këto procese të mbeten peng i presidentit, si krijimi i organit më të lartë ligjor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha se duhen marrë masat ligjore dhe kushtetuese nga Kuvendi “për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar”.
“Në dritën e kësaj ngjarje të re, gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në kuvend dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore. Nuk kemi ne luftë me Ilir Metën, Ilir Meta ka luftë me botën, me qeverinë, me Shqipërinë, dhe me veten. Ne kemi detyrën të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset zgjedhore, të formimit të drejtësisë dhe çdo proces tjetër ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi fuqiplotë i Kushtetutës, njësoj si talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm të librit të shenjtë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se për zgjedhjen në një seancë plenare të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është “dakordësuar 100% me aleatët strategjikë, dhe jemi konsultuar me ekspertët të EURALIUS dhe OPDAT”
Presidenti lir Meta dekretoi anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, në të njëjtin pozicion që ishte zënë me parë nga Arta Vorpsi, teksa kësaj të fundit i mbylli derën e presidencës për të bërë betimin, duke e detyruar Vorpsin t’ia nisë me postë deklaratën e betimit të noterizuar, ndërsa Xhaferllarin e priti në ceremoni betimi në Presidencë.
Marsida Xhaferllari u betua në presidencë si anëtare për Gjykatën Kushtetuese së bashku me dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi. Por sot në Gjykatën Kushteutese kanë shkuar të dyja të zgjedhurat për një vend, Vorpsi dhe Xhaferllari, duke e futur në ngërc ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Rezoluta urdhëron institucionet të mos zbatojnë dekretin e Metës dhe për këtë arsye, Marsida Xhaferllari u betua dje teksa dekreti i saj ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare.
Fraksion.com