“Procesi i reformave pa asnjë vonesë”; Maas: Gjermania do të vijojë të mbështesë Shqipërinë
Për Gjermaninë është më se e qartë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe e ardhmja e tij duhet të jetë brenda Bashkimit Europian, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një intervistë me ”Deutsche Welle”.
”Më shumë se një shumicë e qartë e anëtarëve të BE-së kanë vendosur për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse kjo është gjithashtu në interesin tonë strategjik”, theksoi ai.
Maas, i cili zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, theksoi se forca e Bashkimit Europian qëndron në faktin se edhe kur bëhet fjalë për tema gjithëpërfshirëse, BE-ja në fund e gjen një zgjidhje.
“Jam i sigurt se do të funksionojë edhe këtë herë”, siguroi ai.
Duke komentuar veton franceze, Maas tha se presidenti i Francës Emmanuel Macron u tregua i qartë kur tha se, përveç reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, edhe reforma e procesit të zgjerimit është e nevojshme.
“Ajo që është e rëndësishme për momentin është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë procesin e reformave pa asnjë vonesë dhe të kenë progres gjatë kësaj rruge”, deklaroi Maas duke shtuar se është e rëndësishme që të dy vendet të kenë sukses për të bindur skeptikët.
Maas siguroi që Gjermania do të vazhdojë përpjekjet për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së.
Fraksion.com