AktualitetPolitikëTë fundit

“Ofensivë ndaj pasurive të krimit”; Rama: Organizata KÇK do tundet nga themelet”;

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot nisjen e një ofensive ndaj pasurive të krimit të organizuar dhe të gjykatësve dhe prokurorëve që i përkasin organizatës kriminale “Kap Ç’të Kapësh” (KÇK).

Nga foltorja e Kuvendit, Rama garantoi se ky do të jetë thelbi i një procesi pa kthim që do të nisë një orë e më parë.

“Sot jemi në një pozitë të vështirë jo në raport me episodin, pasi ai është një tjetër shprehje kuptimplotë e gjithë vështirësisë që ka kjo reformë që kur ka nisur, por në raport me njerëzit dhe pritshmëritë e tyre legjitime nga drejtësia, që ende është në ardhje, por ende nuk është e prekshme, sepse nuk është aty për ta”, deklaroi Rama në Kuvend, gjatë debatit për miratimin e rezolutës së Kuvendit për shmangien e krizës kushtetuese.

Rama tha se “sot ajo që duhet të ishte drejtësi është rëndom padrejtësi, si rezultat i një numri të konsiderueshëm gjykatësish dhe prokurorësh që i përkasin organizatës kriminale Kap Ç’të Kapësh (KÇK)”.

“Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën është me KÇK-së, ndërkohë që procesi për të cilin jemi mbledhur për të miratuar këtë rezuolutë është shumë herë më i thjeshtë dhe krejtësisht i qartë. Ne bëjmë detyrën tonë sot karshi këtij institucioni dhe opinionit publik shqiptar, por nuk ka asnjë dyshim që në fakt kjo është një detyrë shumë e lehtë në raport me detyrën për të vepruar një orë e më parë kundër KÇK-së”, tha Rama.

Kryeministri tha se “duhet të nxjerrim në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot më shumë se asnjëherë tjetër rrjedhjen e lirë të ujërave drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë”.

Prandaj, tha Kryeministri, “ky është një tjetër motiv për ne që të shpejtojmë dhe përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK-së të mos e lëmë më thjesht dhe vetëm në radhën e pritjes së Vetingut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar”.

“Ata që kanë marrë dënime për krim të organizuar apo krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale, më shumë se sa një vrasje; ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve dhe gjykatësve që e kthyen drejtësinë në një pazar ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën, dhe zakonisht kanë pasur ofertën më të mirë, dhe ata që janë hetuar jashtë vendit për krim të organizuar duhet të kthehen 1 orë e më parë në shënjestrën tonë”, tha Rama.

Ai shtoi se “nuk mundet që ata dhe nga ana tjetër KÇK t’i gëzojnë pasuritë e tyre”.

“Për rastin skandaloz të Durrësit kam qenë në këtë foltore, kur jam zotuar se do t’i sjell Kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për t’u miratuar dhe për t’u kthyer në platformë lufte ndaj krimit të organizuar dhe KÇK-së. Tanimë nuk është çështje muajsh, por e disa ditëve”, tha Rama.

Ai tha se “në 25 nëntor do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë, e cila do të jetë sfida e vërtetë e këtij Kuvendi”.

“Ajo do të ndajë në këtë sallë ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë dhe ata që nuk janë. Do të ndajë një histori të vjetër ku është përzier rëndom i njomi me të thatin dhe krimi i organizuar është kthyer në aleat politik të atyre që e kanë përdorur vijimësisht, produktin e krimit për ta hedhur si mish të ngordhur në oborrin tonë. Kjo është koha ku i gjithë ky proces dhe i gjithë ky zinxhir krizash të sajuara artificialisht nga Ilir Meta dhe të gjithë ata që i përkasin frontit të mirënjohur kundër reformës në drejtësi, të marrë drejtimin e duhur dhe të marrë përgjigjen e duhur deri në fund nga ne”, tha Rama.

 

Fraksion.com