Atentati ndaj Inez Hajrullës në Lungomare; Arrestohen 4 persona për sulmin
Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Gjurmimi” ka vënë në pranga katër persona të dyshuar për atentatin ndaj Inez Hajrulla.
Në vijim të ngjarjes së ndodhur më 10 maj, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari Dajko Cenodemaj, pas hetimeve gjashtë mujore u bë arrestimi i të dyshuarve.
Bëhet me dije se të arrestuarit janë Daut Elmazaj, 25 vjeç, banues në Vlorë; Albano Goxhaj, 24 vjeç, banues në Fier; Devisjon Serjani, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardjan Ahmeti, 26 vjeç, banues në Tiranë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Personi i cili mendohet se ishte shënjestra e të shtënave me armë zjarri në zonën e Lungomares në Vlorë, është 27-vjeçari Inez Hajrulla.
Gjithçka pasi mes dy mjeteve u shkëmbye zjarr, duke bërë që nga të shtënat të mbetet i plagosur 58-vjeçari Dajko Cenodemaj, i cili ishte duke pirë kafe në një lokal aty pranë.
Pas të shtënave autorët e përplasjes me armë u larguan me mjetet e tyre në rrugicat e pallateve të zonës. Ndërkohë pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë tip Land Rover të djegur në zonën e Babicës, e cila mendohet të jetë përdorur në një prej dy grupeve.
Po ashtu në zonën e Bunavisë u gjet një makinë tjetër e cila mendohet se i përket grupit tjetër.
Inez Hajrulla i ka shpëtuar edhe një atentati në nëntor të vitit 2017, kur makina me të cilën udhëtonte u hodh në erë. Kjo bëri që si pasojë e dëmtimeve të marra, i riu të humbë njërën këmbë.
Fraksion.com