Takimi Trump-Erdogan dhe transaksionet e Ankarasë me Moskën
Nuk ka shenja se bisedimet e së mërkurës mes udhëheqësve të SHBA dhe Turqisë sollën ndonjë përmirësim në marrëdhëniet e rënduara mes dy vendeve.
Dy presidentët, Donald Trump dhe Recep Taip Erdogan, i përshkruan diskutimet në Shtëpinë e Bardhë si produktive dhe të sinqerta.
“Blerja nga ana e Turqisë e armatimeve të sofistikuara ruse, si sistemi S-400 krijon sfida serioze për ne,” tha Presidenti Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp me zotin Erdogan.
“Shpresojmë se do të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë,” shtoi presidenti amerikan.
Blerja shkel një akt ligjor amerikan
Blerja e sistemit rus S-400 për mbrojtje nga raketat shkel Ligjin CAATSA—Akti Ligjor për Kundërpërgjigje ndaj Rivalëve të Amerikës, që ndalon blerjen e sistemeve të rëndësishme ushtarake nga Rusia.
Si rezultat, SHBA e nxorën aleatin e tyre të NATO-s, Turqinë, nga programi i Avionëve Luftarakë F-35.
Duke folur për fërkimet që kanë lindur lidhur me sistemet S-400 dhe F-35, Presidenti Erdogan tha “vetëm me dialog mund t’i kapërcejmë pengesat që hasim”.
Udhëheqësi turk sugjeroi blerjen e sistemit amerikan Patriot për mbrojtjen nga raketat, nëse ofrohet me çmim të pranueshëm.
Zyrtarët e dy vendeve thonë se janë planifikuar diskutime të tjera të nivelit të lartë në përpjekje për të zgjidhur këtë çështje kritike.
Presidenti turk diskutoi kohët e fundit me udhëheqësin rus blerjen e avionëve luftarakë rusë Su-57 dhe Su-35, nëse nuk arrin të blejë avionë aamerikanë, siç njofton media.
Një veprim i tillë do të kërcënonte antarësinë e Turqisë në NATO.
Presidenti Trump, në konferencën për shtyp të mërkurën nuk foli për këtë problem, duke e lavdëruar Turqinë si një aleate shumë e vlefshme në NATO.
Në fillim të javës, një grup dypartiak ligjvënësish i dërgoi presidentit një kërkesë me shkrim që të anulonte takimin me presidentin turk si rezultat i veprimeve “shkatërrimtare” të Erdoganit në Siri dhe gjithashtu për blerjen e sistemit S-400 nga Turqia.
“Nisur nga kjo situatë, besojmë se është e papërshtatshme që Presidenti Erdogan të vizitojë SHBA,” thuhej në letrën e ligjvënësve.
“Sa turp”
Pak para mbërritjes së zotit Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer e quajti “të turpshme” që Presidenti Trump të priste zotin Erdogan, duke e akuzuar udhëhqësin amerikan se “po mbyll një sy para veprimeve të udhëheqësve të huaj, të cilët kanë marrë në dorë autoritet të zgjeruar dhe përpiqen të sundojnë si autokratë, duke minuar demokracinë në vendet e tyre dhe duke shfrytëzuar përçarjet dhe konfliktet etnike për të rritur legjitimitetin e tyre”.
Komente të ngjashme bën Nancy Soderberg, ish-zëvendës këshilltare për sigurinë kombëtare dhe konsulente në organizatën e paanshme, Politika për Amerikën.
“Ne duhet të pezullojmë antarësinë e Turqisë në NATO si rezultat i spastrimit etnik dhe masakrave të tjera që ka bërë në Siri, duke detyruar mbi 180 mijë civilë të largohen nga banesat. Duhet të dënojmë, jo të festojmë, diktatorin Erdogan, i cili vë në shenjestër kundërshtarë politikë, pakica dhe organizata joqeveritare në vendin e tij,” thotë zonja Soderberg.
Analisti i politikës së jashtme, Dario Cristiani, studiues në Fondin Marshall në Shtetet e Bashkuara gjithsesi mendon se “Presidenti Trump veproi si duhet që u takua me zotin Erdogan”.
Zoti Cristiani thotë për Zërin e Amerikës se megjithë shtimin e tendencave nacionaliste e autoritare të udhëheqësit turk, “Turqia mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një vend me rëndësi kyçe për balancën gjeopolitike në një pjesë të rendësishme të botës. Si rezultat, dialogu me Turqinë mbetet me rendësi kritike, megjithëse duhet të vazhdojnë të kenë rëndësi edhe praktikat turke kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
Pesë senatorë republikanë iu bashkuan presidentit për të pritur udhëheqësin turk të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.
“Synimi i këtij takimi me miqtë turq ishte një mësim mbi edukatën qytetare amerikane. Disesi ky takim ne jep mundësi të jemi optimistë,” tha Senatori Lindsey Graham në komentet për gazetarët.
Trajtimi i kurdëve
Senatori Ted Cruz tha se përveç blerjes së sistemit rus S-400, ligjvënësit janë të shqetësuar edhe për trajtimin e kurdëve nga regjimi i Erdoganit. Qeveria turke i konsideron disa organizata dhe lëvizje kurde si terroriste.
Disa nga grupet paraushtarake kurde konsiderohen si aleatë nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ISIS-it në Siri.
Në një intervistë me Shërbimin Kurd të Zërit të Amerikës, Mustafa Bali, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Siriane, një grup kryengritës i udhëhequr nga kurdët, u bëri thirrje SHBA të mos sakrifikojnë për interesat e tyre ekonomike kurdët, të krishterët dhe grupe të tjera etnike e fetare në territorin sirian.
“Presidenti Trump duhet të përmbushë detyrimet morale dhe të mos lejojë spastrim etnik dhe ixhinierinë demografike që është praktikuar nga Erdogani që kur forcat e tij u futën në Siri,” tha zoti Bali, duke akuzuar Turqinë se ka shkelur armpushimin dhe ka zgjeruar territoret që kontrollon dhe që i ka etiketuar si “zona të sigurta”.
Presidenti Erdogan, në një konferencë për shtyp fajësoi terroristët kurdë se vazhdojnë të vrasin ushtarë e civilë turq. Ai tha se ia kishte kthyer prapa letrën që i kishte dërguar Presidenti Trump, ku i thoshte të mos bënte “si i fortë” dhe të mos tregohej “budalla” duke filluar një ofensivë ushtarake në Siri.
Bisedimet mes presidentëve Trump dhe Erdogan u zhvilluan ndërkohë që ishin hapur seancat publike me dëshmi në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në procesin për shkarkim të mundshëm të presidentit.
Në një konferencë për shtyp, Presidenti Trump tha: “Nuk kam parë asnjë minutë nga seancat,” duke i cilësuar hetimet “një mashtrim që nuk duhet lejuar”./VOA
Fraksion.com