Pheniani kundër stërvitjeve ushtarake Uashington-Seul, paralajmëron kundërpërgjigje
Koreja e Veriut kërcënoi të mërkurën se do të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë përpara me stërvitjet e planifikuara ushtarake me Korenë e Jugut, duke rritur kështu presionin ndaj Uashingtonit për të ndryshuar kursin.
Deklarata u bë edhe pse Uashingtoni tha javën e kaluar se stërvitja e përbashkët ajrore e planifikuar për muajin tjetër, do të ishte më e vogël në shtrirje krahasuar stërvitjet e mëparshme.
“Kundërpërgjigja është një e drejta jonë për t’u vetëmbrojtur kundër çdo hapi që kërcënon sovranitetin dhe sigurinë e vendit”, thuhej në një deklaratë të Komisioni për Çështje Shtetërore në të cilën nuk jepeshin sqarime të mëtejshme.
Ky komision, i cili është organi më i lartë qeverisës i kryesuar nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nxjerr rrallë deklarata.
Javën e kaluar, një diplomat i lartë i Koresë së Veriut i kritikoi stërvitjet ajrore duke i cilësuar shkurajuese për bisedimet me Uashingtonin.
Pheniani i ka kundërshtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat i sheh si stërvitje për pushtim.
Në deklaratën e tij të fundit Pheniani tha se kishte marrë masa për të ulur shqetësimet e Uashingtonit, por Shtetet e Bashkuara sipas tij nuk ishin përgjigjur me të njëjtën monedhë, duke u lënë atyre shijen e tradhëtisë.
E pyetur rreth deklaratës së Koresë së Veriut, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit nuk i përmendi stëvitjet ushtarake, por iu referua një marrëveshje të arritur mes Kim Jong Un-it dhe Presidentit Donald Trump gjatë takimit të tyre të parë në Singapor në qershor të 2018-s.
“Presidenti Trump mbetet i përkushtuar për të përparuar lidhur me angazhimet e marra në Singapor, për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe çarmatimin e plotë të gadishullit korean“, tha ajo.
Menjëherë pas takimit të tij të parë me Kim Jong Un-it presidenti Trump bëri njoftimin befasues se Shtetet e Bashkuara do të pezullonin stërvitje ushtarake me Korenë e Jugut. Që nga ajo kohë nuk janë kryer stërvitje ose ato kanë qenë të reduktuara në përmasë.
Në muajin prill Kim Jong Un u dha Shteteve të Bashkuara afat deri në fund të vitit për të treguar më shumë fleksibilitet rreth bisedimeve që kanë ngecur mbi çarmatimin bërthamor.
Kjo deklaratë pasoi dështimin e takimit të dytë mes dy udhëheqësve në Hanoi në muajin shkurt dhe ngriti shqetësimin se Koreja e Veriut mund t’i rikthehet provave bërthamore e me raketa me rreze të gjatë veprimi, të pezulluara që nga viti 2017./VOA
Fraksion.com