Kryeministri Zaev mori pjesë në forumin e biznesit Maqedoni e Veriut-Rusi
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka marrë pjesë në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, i cili mbahet në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili zyrtarisht fillon nesër në Ohër.
Në fjalën e tij hyrëse, Zaev tha se raportet mes dy vendeve kanë traditë të miqësisë, duke shtuar se ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Zaev gjithashtu shprehi kënaqësinë e organizimit të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili aktivizohet pas një pauze 5-vjeçare.
“Është një nder i veçantë që sot të përshëndes edhe punën e sesionit të 9-të të komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknik mes vendit tonë dhe Rusisë mike. Raportet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse janë tradicionalisht miqësore dhe ato i karakterizon një frymë pozitive, por edhe potenciale të pashfrytëzuara”, tha Zaev.
Duke përmendur të dhënat statistikore që thonë se shkëmbimi tregtar me Rusinë përbën vetëm 1 për qind nga shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zaev theksoi se kjo është tejet e ulët dhe paraqet një sfidë për bashkëpunim më thelbësor.
I pyetur pas ngjarjes nëse riaktivizimi i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë paraqet ndonjë lloj përgjigje ndaj Bashkimit Evropian (BE), Zaev tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë porosi të këtillë dhe se alternativa e vetme e vendit mbetet BE dhe NATO.
Në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, përpos kryeministrit Zaev, të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, dhe ministra tjerë. Nga pala ruse, të pranishëm ishin zv/ministri i industrisë dhe tregtisë i Rusisë, Alexey Gruzdev, ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergei Bazdnikin, si dhe afaristë të shumtë./AA
Fraksion.com