Brexit i ashpër me dredhi?
Disa nga rebelët e Brexit janë rikthyer në Partinë Konservatore. Të tjerë zgjedhin të qëndrojnë si liberalë ose të pavarur, siç është ish-Ministri i Drejtësisë, David Gauke.
Brexit-i i ashpër nga dera e pasme?
Nuk do të ishte keq, thotë David Gauke, sikur votuesit e vjetër të konservatorëve në këto zgjedhje të votonin ndryshe, pra, për liberalët Ai vetë është për një referendum të dytë, sepse mendon, se nuk ka më asnjë shans për ta bashkuar vendin me një Brexit të butë.
Gauke dyshon, se Boris Johnson tani po përpiqet ta arrijë Brexitin e ashpër nga dera e pasme. Duke përjashtuar çdo zgjatje të fazës kalimtare vitin e ardhshëm, në fund të vitit 2020, Britania e Madhe do të përfundojë detyrimisht në Brexitin e ashpër. Kjo gjë u shmang në shtator, falë rebelëve në radhët e konservatorëve.
“Unë besoj se kryeministri nuk do të jetë në gjendje politikisht ta zgjasë periudhën e tranzicionit. Të djathtët në partinë konservatore nuk do ta lejojnë të bëjë një gjë të tillë,” thotë Gauke në një intervistë për “The Times”. Kjo do të thotë që brenda 13 muajsh, Britania e Madhe, vetëm në bazë të rregullave të OBT-së do të përballej faktikisht me Brexit-in e ashpër. Sikurse edhe diplomatët në Bruksel, ai mendon se brenda një gjysmë viti nuk mund të arrihet një marrëveshje e re tregtare me BE-në.
Marrëveshje me partinë Brexit?
“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë do Johnson,” thotë Anand Menon, një profesor në Kings College të Londrës dhe një specialist i Brexit-it në institutin “UK in a changing Europe”. “Kjo e bën situatën edhe më të rrezikshme dhe të paparashikueshme se më parë”. Me Johnson-in nuk ka kurrë siguri se a do t’i përmbushë zotimet, thotë ai.
E paqartë është për vëzhguesit edhe marrëveshja që ka arritur ai me Partinë Brexit të Nigel Farage-it, i cili në fundjavë u tërhoq nga të gjitha qarqet zgjedhore, ku kandidojnë konservatorët. Farage tha se “nuk dëshironte të përçante bllokun pro-Brexit”. Por çfarë mori ai si shpërblim për këtë tërheqje? Mos vallë premtimin e një Brexit-i të ashpër?
“Ne nuk e dimë, se çfarë marrëveshje është bërë aty”, thotë Anand Menon, por, natyrisht, njerëz nga Partia Konservatore kanë pasur bisedime me njerëz nga partia Brexit. Një kryeministër ka shumë shpërblime për të dhuruar, dhe ne do ta shohim se çfarë e motivon Nigel Farage-in më shumë: paraja apo fama. Por ndoshta ai e ka bërë edhe nga halli, sepse nuk kishte aq kandidatë për të 600 zonat zgjedhore.
Gjithsesi, kjo bëri që konservatorët të ngjiteshin menjëherë në sondazhe dhe aktualisht të kenë 10 pikë më shumë se Partia Laburiste. “Kjo nuk do të thotë se tani ka mbaruar gjithçka”, thotë Prof. Menon. Shumë britanikë janë ende të pavendosur dhe Brexit-i po i bën zgjedhjet më të paparashikueshme se kurrë.
Marrëveshje tregtare në kohë rekord?
Boris Johnson premton një marrëveshje të tregtisë së lirë “Kanada ++” pas Brexit-it, pa pasur nevojë që Britania t’u përmbahet rregullave të BE-së, dhe kjo mund të bëhet pa probleme brenda një periudhe gjysmëvjeçare.
Twitter / 9KB6QxZK0
Por sa realiste është kjo? Për marrëveshjen me Kanadanë u nevojitën shtatë vjet, por nga ana tjetër, John Springford nga “Centre for European Reform” mendon, se ajo që mund të arrihet së paku është një marrëveshje shumë e reduktuar ku të rregullohen vetëm qarkullimi i mallrave dhe doganat, por edhe kjo nuk mund të realizohet brenda 11 muajve. Sepse negociatat me Britaninë e Madhe mund të fillojnë vetëm pas Brexit-it, më 31 janar 2020. Pastaj BE-ja duhet t’i japë negociatorit të saj, Michael Barnier një mandat të dytë dhe vendet anëtare të dorëzojnë udhëzimet e tyre. Dhe për këtë ata duhet të njohin synimet e britanikëve dhe se çfarë efekti do të kenë ata për ta. Kjo do ta vonojë edhe më tej fillimin e vërtetë të bisedimeve.
Dhe së fundi, ka edhe pengesa përmbajtësore: Kancelarja Angela Merkel kishte paralajmëruar qysh në tetor për një Britani si konkurrente, e cila nuk u përmbahet më rregullave dhe standardeve evropiane. BE-ja nuk dëshiron të ketë një “Singapor mbi Thames” te pragu i saj. Pra, çështja e “level playing field”, përafrimi i rregullave për ndihma shtetërore, për mjedisin dhe kushtet e punës, do të luajë një rol qendror. “Këtu, BE-ja do të kërkojë çmimin e saj,” thotë Springford, çka mund të bëjë që bisedimet shumë shpejt të dështojnë për arsye politike.
Ai gjithashtu beson, se Boris Johnson në këtë çështje do ta ndryshojë edhe njëherë mendjen dhe do të kërkojë sërish zgjatjen e Brexit-it. “Boris Johnson bën atë që e mban atë në pushtet, thotë eksperti për çështje tregtare. Dhe nëse ai ka një shumicë të konsiderueshme në parlament, ai madje mund t’ia lejojë vetes edhe të sakrifikojë disa simpatizantë të “Brexit”- të ashpër.
Sidoqoftë, për Kryeministrin do të ishte më mirë të hynte në një marrëveshje tjetër të thjeshtë të tregtisë së lirë me një fazë tjetër kalimtare sesa të konfrontohej me kaosin dhe problemet e një Brexit-i të shtyrë. Se a do të dalë fjala e paralajmëruesve që thonë, se Kryeministri Britanik synon që të realizojë fshehurazi një Brexit të ashpër ose e vëzhguesve që e mbajnë atë për pragmatik, kjo do të shihet vitin e ardhshëm.
Sido që të jetë, në këtë fushatë zgjedhore lufta verbale është shumë e ashpër dhe Brexit-i mbetet një temë mbizotëruese sado që konservatorët dhe labouristët përpiqen të flasin për tema të tjera si sistemin shëndetësor, ose mungesën e hapësirës së banimit. Në këto tema, të dyja palët kanë bërë aq shumë premtime të mëdha, saqë ndoshta askush nuk u zë besë./DW
Fraksion.com