AktualitetTë fundit

Vettingu në polici; Konfirmohet në detyrë Adriatik Ago i shërbimit të brendshëm

Numri dy i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, Adriatik Ago, u përball të mërkurën me vettingun në polici.
Komisioni i jashtëm i vlerësimit vendosi konfirmimin e tij në detyrën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të SHÇBA-së. Javën e shkuar u zhvillua seanca dëgjimore më subjektin në fjalë, ku sipas hetimit të kryer nga komisioni, Ago, rezultoi të mos çalonte në asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligj, siç janë pasuria, figura dhe aftësitë profesionale.

Sipas Komisionit, Ago rezulton pa masa disiplinore, me grada të fituara në mënyrë të ligjshme dhe deklarimet e tij të pasurisë rezultojnë të jenë të sakta. Pa ashtu, pasuria e tij rrjedh nga burime të ligjshme financiare.

Në dy seancat e para të zhvilluara për vettingun në polici, Adriatik Ago është i pari që konfirmohet në detyrë, pasi javën e kaluar shefi i sektorit pranë Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, Oltion Shehu, nuk mundi dot që të kalonte në filtrat e vettingut.

Sipasi hetimit të kryer nga ana e komisionit të jashtëm të vlerësimit, Shehu, nuk arriti dot që të justifikonte një shumë parash prej rreth 1.4 milionë lekë. Diskutime në seancë pati edhe për aftësitë e tij profesionale, duke iu referuar një kërkesë për dorëheqje nga puna të Shehut, i cili e kishte bërë më herët këtë vit.

Për këto arsye, Oltion Shehu u shkarkua.

Ndërkaq, në listën e parë të publikuar nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, kanë mbetur edhe 43 emra, mes të cilëve edhe numri një i policisë së shtetit Ardi Veliu.

Ky i fundit, pritet të përballet me vettingun në polici, në ditët në vijim, pasi të ketë përfunduar puna me shqyrtimin e të gjitha dosjeve.
Paralelisht po punohet edhe me shqyritimin e dosjeve për listën e dytë të publikuar nga komisioni, pjesë e së cilës janë dejtuesit e policisë nëpër qarqe.

 

Fraksion.com