AktualitetBota+Të fundit

Trump, trysni presidentit Erdogan për sistemin rus të raketave

Presidenti Donald Trump tha në një konferencë shtypi në Uashington me Presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan se blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore ruse nga Turqia krijon ”sfida serioze”, por shtoi se shpreson që ato të zgjidhen.

Trump & Erdogan
Trump & Erdogan

Turqia, anëtare e NATO-s, e zemëroi SHBA-në kur bleu sistemin rus S-400. Uashingtoni thotë se sistemi në fjalë paraqet një kërcënim për aeroplanët e NATO-s dhe të SHBA. Administrata Trump u përgjigj duke e larguar Turqinë nga programi për prodhimin e avionit luftarak F-35.

Presidenti Trump tha të mërkurën se ai kishte biseduar për këtë çështje me presidentin e Erdogan dhe i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarëve të tjerë që të përpiqen për ta zgjidhur problemin.

Ndërkaq, në një takim që patën me Presidentin Trump dhe zotin Erdogan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, pesë senatorë republikanë i bënë presion presidentit të Turqisë për të ditur arsyen se pse Turqia bleu sistemin rus, megjithëse është anëtare e NATO-s.

Senatorët gjithashtu shprehen shqetësim për forcat kurde të mbështetura nga SHBA që janë vënë në shënjestër nga Turqia.

Presidenti Trump tha në konferencën e shtypit se dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje tregtare të dyanshme me Turqinë për të rritur tregtinë mes dy vendeve.

Nga ana e tij, zoti Erdogan tha se brenda gjashtë muajsh deri në dy vjet, Turqia mund të riatdhesojë rreth 1 milion refugjatë që ndodhen në Turqi, duke i sistemuar ata në një zonë të sigurt në veri të Sirisë.

Presidenti Erdogan nisi një ofensivë ushtarake në Siri më 9 tetor me qëllim pastrimin e zonës nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga SHBA, të cilët ai i sheh si kërcënim.

Qeveria e Turqisë thotë gjithashtu se shpreson të risistemojë rreth 2 milion nga 3.6 milion refugjatët e luftës siriane.

Zoti Erdogan tha se shpreson të bindë donatorë ndërkombëtarë për të ndihmuar. Ai shtoi se 1 milion refugjatë mund të riatdhesohen në qytete si Raka dhe Deir el-Zour, qyteti më i madh në Sirinë lindore.

Presidenti i Turqisë tha në konferencën e shtypit se vendi i tij është “i lënduar thellë” nga një rezolutë e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan që njeh vrasjet masive të armenëve një shekull më parë nga turqit osmanë si gjenocid.

Rezoluta ishte qartazi një qortim ndaj Turqisë, pas ndërhyrjes ushtarake të saj në Sirinë veriore.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se rezoluta mund të hedhë një “hije të thellë mbi marrëdhëniet dypalëshe”.

Historianët vlerësojnë se deri në 1.5 milion armenë u vranë në kohën e Luftës së Parë Botërore, dhe shumë studiues e shohin atë si gjenocidin e parë të shekullit të 20-të. Turqia e kundërshton këtë përshkrim të asaj që ndodhi.

Presidenti Erdogan tha se vendimmarrësit për një ngjarje 104 vjet më parë duhet të jenë historianët, jo politikanët.

Dhjetra kurdë dhe përkrahës të tyre valvisnin flamuj kurdë dhe amerikanë jashtë Shtëpisë së Bardhë për të protestuar ndaj takimit të Presidentit Trump me udhëheqësin e Turqisë, Erdogan. Ata hidhnin parulla që kërkonin tërheqjen nga Siria veriore të forcave që mbështeten nga Turqia.

Presidenti Erdogan i sheh forcat kurde në Siri si zgjatim të grupit separatist kurd që lufton brenda Turqisë që nga vitet ’80./VOA

 

Fraksion.com