AktualitetNATO/BETë fundit

“Të gjithë kundër Macron”; Ministrja gjermane e Mbrojtjes: NATO mbetet gurthemeli vendimtar

Si përgjigje ndaj kritikave të ashpra të presidentit francez Macron kundër NATO-s, ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp- Karrenbauer thotë, se publiku duhet ta dijë sa e rëndësishme është NATO për sigurinë në Europë.

Berlini është ende duke i kthyer përgjigje komenteve të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili duke folur javën e kaluar për të ardhmen e NATO-s, e quajti aleancën e mbrojtjes “brain- dead”. Në bisedimet vjetore të NATO-s, që u zhvilluan pranë Portave të Brandenburgut, simbolit të Berlinit, ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp- Karrenbauer kritikoi fjalët e Macronit dhe tha se: “NATO mbetet gurëthemel vendimtar”. Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme t’i shpjegohet publikut pse Gjermania duhet të luajë rol më aktiv, në çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

Kramp-Karrenbauer i bëri këto komente gjatë një ceremonie publike për betimin e rekrutëve para ndërtesës së Rajhstagut, ku mblidhet parlamenti gjerman. “Është hera e parë në dhjetë vitet e fundit që bëjmë një betim publik para ndërtesës së Rajhstagut, para 17 mijë të ftuarve,” tha ajo. Shefja e mbrojtjes në Gjermani, e cila mban po ashtu kryesinë e partisë kristiandemokrate, (CDU) të kancelares Angela Merkel, foli edhe për idenë e saj për krijimin e një Këshilli të Sigurisë Kombëtare, duke e mbrojtur idenë pavarësisht kritikave të bëra javët e fundit.

Siemtje Möller, një deputete e Partisë socialdemokrate, në koalicion me CDU, i tha Deutsche Welles para fjalimit të ministres, se propozimi për Këshillin e Sigurisë Kombëtare “duket si i nxjerrë nga ndonjë kuti e vjetër”. Sipas saj, ideja e ministres për Këshill Sigurie është në të njëjtën linjë me propozimin e bërë më parë për krijimin e “një zone të sigurisë ndërkombëtare”, propozim që shkaktoi tensione publike mes liderëve të koalicionit qeverisës. Kramp-Karrenbauer foli krijimin e një zone të sigurisë ndërkombëtare në Siri, pa informuar më parë partnerët e koalicionit. Möller e sheh këtë propozim vetëm si të motivuar politikisht.

Shqetësime serioze

Duke folur në tavolinën e rrumbullakët të NATO-s, Wolfgang Ischinger, shefi i Koncerencës së Sigurisë në Mynih (MSC), tha duke i pasur parasysh kritikat e Macronit: “sikur të isha unë ai që është ulur në Pallatin Elysee, atëherë do të shqetësohesha për anëtarët e NATO-s, që nuk janë duke koordinuar aksionet e tyre me të tjerët”. Duket se ai fliste për Shtetet e Bashkuara, të cilët larguan trupat nga Siria pa bërë paralajmërime dhe për Turqinë, e cila zhvilloi sulme të papritura në atë zonë. Sidoqoftë presidenti francez, pati kritikuar Turqinë dhe SHBA për aksionet e tyre që e gjetën Europën të papërgatitur.

Ischinger, tha se po të hedhësh vështrimin mbi NATO-n nuk është e vështirë të kuptosh se “përkundrazi, situata është duke u përmirësuar”. Për të mbështetur idenë e tij Ischinger, përmendi faktin se vendet e aleancës janë duke rritur shpenzimet në fushën ushtarake. “Partnerët amerikanë kanë rritur praninë në Europë. Ata kanë planifikuar vitin e ardhshëm zhvillimin e një stërvitjeje të madhe ushtarake, më të madhen e të gjithë kohrave. Kështu që ne nuk mund ta quajmë këtë brain dead.”

Ischinger, shfrytëzoi rastin për të bërë të qartë se Rusia nuk mund të jetë më partner i besueshëm bisedimesh, kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe politikën e përbashkët të sigurisë. “Për vite me radhë ne kemi besuar, sidomos këtu në Gjermani se Rusia mund të bëhet partner i perëndimit. Mbase partner i vështirë, por sidoqoftë partner. Duket se kjo shpresë është tronditur nga themelet.”

Parlamentarja socialdemokrate Möller, që është zëvendës-zëdhënëse shtypi për politikat e sigurisë dhe mbrojtjes në partinë e saj, i tha Deutsche Welles se zgjedhja e fjalëve nga Macroni “ishte shumë brutale”, por “Aleanca është më e fortë se anëtarët e veçantë të saj” duke bërë thirrje për zhvillimin e një debati për rigjallërimin e NATO-s.

‘Na duhet një NATO e fortë’

Anne-Marie Descotes, ambasadorja franceze në Gjermani tha se “sigurisht që Macroni donte të shokonte pak, sepse ishte i shqetësuar”. Ambasadorja tha se “aksionet unilaterale të Turqisë në Siri përbëjnë sigurisht shqetësim të madh”.

Descotes mendon se mesazhi i Macronit duhet kuptuar si thirrje për të mbështetur aleancën, dhe jo për ta zhvleftësuar atë. “Ne na duhet një NATO e fortë”, theksoi ajo. Ambasadorja shtoi se Franca shpreson që Gjermania të ngrejë më shumë zërin kur flet për prioritetet e NATO-s dhe se duhet të fokusohet më shumë në “interesat tona strategjike” se sa tek buxheti i Aleancës. “Gjermania duhet po ashtu ta shtrojë këtë çështje. Ajo duhet të shprehë interesat e saj në çështjet e sigurisë,” tha ajo.

Konsensusi në sallë ishte se ekziston nevoja për një NATO më të fortë. Por pyetjet për rolin e Uashingtonit në aleancë mbetën pa përgjigje, duke patur parasysh politikat e presidentit Donald Trump, që e ka drejtuar vendin e tij larg aleancave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Claudio Major, një studiues në çështjet e sigurisë në Institutin gjerman për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë shtroi pyetjen në një sallë të mbushur me oficerë dhe ekspertë të fushës ushtarake: “A do të vazhdojë SHBA të mbetet partner si tani edhe mbas 20 vjetësh? Kurrkush nuk mund të thotë “po” me plot gojën… Ne duhet të vendosim çfarë duhet të bëjmë.”/DW

 

Fraksion.com