AktualitetTë fundit

Raporti i DSIK; Partnerja e Alibeajt është e përfshirë në veprimtari korruptive

Tre ditë më parë, gazeta Shqip zbuloi nga burime ekskluzive se presidenti Ilir Meta ka projektuar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin, që njihet edhe si partnerja e ish-ministrit të PD, Enkelejd Alibeaj.

Skenari, megjithatë duket i djegur, pasi maxhoranca votoi të hënën në Kuvend dy anëtarët e reja të Gjykatës Kushtetuese, duke marrë edhe bekimin e SHBA-BE.

Por, gazeta Shqip u thellua më tej në këtë çështje dhe sipas informacioneve zyrtare rezulton se Marsida Xhaferllari mund të jetë e përfshirë në veprimtari korruptive.

Informacioni i detajuar nga SHQIP i jep përgjigje edhe aludimeve në media, se pse Xhaferllari u vlerësua më pak nga të gjithë kandidatët për në Kushtetuese, duke marrë vetëm 82 pikë dhe duke u renditur e fundit në klasifikim.

Në një raport ‘sekret’ të DSIK, të deklasifikuar pjesërisht pas kërkesës së bërë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, thuhet se Xhaferllari dyshohet se ka marrë ryshfet gjatë viteve 2001-2002, për të favorizuar një palë nën hetim.

“Në përfundim të procedurave të verifikimit të Znj. Marsida Xhaferllari, kandidate për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, nga organet kompetente disponohen të dhëna të viteve 2001-2002 ku ngrihen dyshime për përfshirje në veprime korruptive duke favorizuar palën nën hetim kundrejt përfitimit financiar”, thuhet në shkresën e DSIK për KED.

Raporti i DSIK ka qenë i pjesshëm dhe për këtë arsye KED nuk e ka përjashtuar nga gara Xhaferllarin, por është mjaftuar me uljen e pikëve, duke nënvizuar se:

Për sa i përket kriterit vlerësues të integritetit etik dhe moral, sjelljet dhe veprimet e sipërcituara të atribuuara kandidates Marsida Xhaferllari,  në informacionet e dërguara nga organet kompetente ligjzbatuese, janë të tilla që nuk përputhen me respektimin e:

  1. a) Detyrimit të ndershmërisë, korrektesës dhe respektit të gjyqtarit, aq më tepër të atij/asaj që kandidon të jetë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave kandidati duhet të ushtrojë dhe të ketë ushtruar (në të kaluarën) funksionet profesionale pa favorizim, të refuzojë të pranojë çfarëdo dhurate ose avantazhi për veten ose për ata që janë pranë tij/saj, kur ushtron funksionin e gjyqtarit ose profesion tjetër etj.,
  2. b) Detyrimit për respektimin e nderit dhe të dinjitetit të gjyqtarit, pra që në sjelljen dhe veprimtarinë e tij/saj të sigurojë që, nëpërmjet praktikës së tij/të saj profesionale dhe të jetës e të personit të tij/të saj, ai/ajo nuk ka cenuar dhe nuk rrezikon të cenojë imazhin dhe figurën publike të gjyqtarit, gjykatës dhe të sistemit të drejtësisë,

Rasti i paprecedentë në KPK!

Është një proces krejt i pazakontë i rrugëtimit të ish-kryeinspektorës së KLD-së në kohën e Ilir Metës dhe Bujar Nishanit. Në një situatë normale, rruga e Xhaferllarit me drejtësinë duhej të ishte mbyllur që në fillim të vitit. Në mënyrë të paprecedentë, edhe pse u konstatuan probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, organet e vettingut moren vendim që të mos ketë vendim për ish-kryeinspektoren e KLD. Me arsyetimin se Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistratit, u vendos që hetimi të mbyllej pa vendim.

Megjithatë, relatori i çështjes vuri në dukje se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit, përfshi edhe dyshimet nëse Xhaferllari kishte apo jo statusin e magjistratit.

Me të drejtë shtrohet pyetja; Cili është interesi i presidentit Meta në këtë rast, i cili flet vazhdimisht për zbatim të Kushtetutës…por që projekton për në Gjykatën Kushtetuese një kandidate që duhet të ishte jashtë sistemit të drejtësisë?

 

Fraksion.com