AktualitetTë fundit

Moti i keq: Ndërpritet përkohësisht përpunimi i anijeve tregtare në portin e Durrësit

Situata e paqëndrueshme meteorologjike, e cila vazhdon të jetë e pranishme në Gjirin e Durrësit, ka ndikuar edhe në veprimtarinë portuale të portit më të madh në vend.

Asnjë nga tragetet e linjës me brigjet italiane nuk është nisur nga Porti i Durrësit mbrëmjen e kaluar, ndërsa mëngjesin e sotëm rreth orës 08:30 është nisur trageti Durrës-Bari.

Po ashtu edhe nga Porti i Barit nisja e tragetit të linjës është me vonesë dhe pritet të mbërrijë në Portin e Durrësit pas mesditës.

Forca e erës pritet të rritet dhe për pasojë është ndërprerë përkohësisht përpunimi i anijeve tregtare.

APD bën të ditur se “nuk është regjistruar asnjë incident deri në këto momente, ndërkohë që jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Për ne, garantimi i kushteve të përshtatshme dhe siguria janë prioritet”.

Prej dy ditësh vendi ynë është përfshirë nga mot i keq me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu.

 

Fraksion.com