AktualitetTë fundit

Meta dekreton Marsida Xhaferllari gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese; Kush është Xhaferllari?

Marsida Xhaferllari është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Xhaferllari është dekretuar sot nga presidenti Ilir Meta.

Së bashku me Besnik Muçin, Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën, Marsida Xhaferllari bëhet anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese, institucion që nuk funksiononte prej muajsh.

Dekreti i Presidentit

Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të,

D e k r e t o j;

Neni 1

Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

 

Kush është Marsida Xhaferllari?

Xhaferllari ka qenë Kryeinspektore në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Më herët ajo ka mbajtur edhe poste të larta në ministrinë e Drejtësisë duke filluar si këshilltare në vitin 2008 dhe më pas si drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Po ashtu ajo ka shërbyer si gjyqtare edhe në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Sakaq, për Xhaferllarin ish-kryeinspektore pranë Inspektoratit të ish-KLD që është dekretuar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese vettingu në 11 mars të këtij viti nuk doli me një vendim.

Ndërkohë, Xhaferllari është përfolur vazhdimisht si kandidatja që nuk plotëson kriteret për në Kushtetuese, pasi në të shkuarën e saj i janë konstatuar shumë shkelje.

Edhe kur hartuan pikëzimi i listave, kryetari i KED Ardian Dvorani dhe kryeprokurorja Arta Marku i dhanë zero pikë Xhaferllari gjatë procesit të klasifikimit në KED.

 

Fraksion.com