Trump, presidenti i parë në detyrë, në paradën e Ditës së Veteranëve në Nju Jork
Të hënën, Donald Trump u bë presidenti i parë në detyrë që ndoqi paradën e Ditës së Veteranëve të Nju Jorkut dhe vuri një kurorë në Memorialin e Dritës së Përjetshme. Ai bëri nderime për ish-luftëtarët që merrnin pjesë, disa prej të cilëve ishin të Luftës së Dytë Botërore.
“Ne zotohemi që gjithmonë të nderojmë veteranët tanë,” tha Presidenti Trump në hapje të paradës së përvitshme që këtë vit shënoi 100 vjetorin e saj. “Ju jeni heronjtë më të mëdhenj të gjallë të Amerikës dhe ne do t’ju admirojmë tani, gjithmonë dhe përgjithmonë.”
Ai gjithashtu përmendi një nga fitoret kryesore të administratës së tij, mbi të cilën ka hedhur hije hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve nga shumica demokrate.
Duke iu referuar sulmit muajin e kaluar nga forcat speciale amerikane kundër udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Presidenti Trump tha: “Al-Bagadi ka vdekur. I dyti pas tij në komandë ka vdekur dhe tani kemi vënë në shënjestër numrin tre. Sundimi i tij i terrorit ka marrë fund dhe armiqtë tanë po ua mbathin shumë, shumë të frikësuar”.
Grupi terrorist, më 31 tetor, konfirmoi vdekjen e udhëheqësit të tij, Abu Bakr al-Bagdadi dhe emëroi zëvendësin e tij, të quajtur Abu Ibrahim al-Hashimi al-Kurejshi.
Komentet e presidentit u pritën me duartrokitje nga turma në Parkun Madison Square. Por disa njerëz aty pranë nuk e pritën ngrohtë presidentin, i cili kishte ardhur në qytetin e tij të lindjes.
“Ndërsa Trump filloi të flasë, një gumëzhimë e lehtë u dëgjua nga ana perëndimore e parkut në Avenunë e Pestë. Ndërsa zëri i tij buçiste nga altoparlantët, nga turma nisën të dëgjohen britmat ‘Lock him up’ (Futeni në burg),” njoftoi gazetarja Eli Stokols e gazetës Los Angeles Times, në një raportim për korrespondentët e tjerë të Shtëpisë së Bardhë.
Në SHBA, Dita e Veteranëve, e njohur fillimisht si Dita e Armëpushimit, është ditë pushimi dhe kremtohet çdo vit më 11 nëntor, për të nderuar veteranët e ushtrisë. Ajo përkon me ditë të ngjashme që përkujtohen në vende të tjera dhe që shënojnë mbarimin e Luftës së Parë Botërore.
Me këtë rast, në varrezat kombëtare të Arlingtonit pranë kryeqytetit Uashington zhvillohen çdo vit ceremoni me fjalime dhe vendosje kurorash. Këtë vit, Presidenti Trump zgjodhi ta përkujtojë Ditën e Veteranëve jashtë Uashingtonit./VOA
Fraksion.com