Presidenti Meta takohet me Kancelaren e Austrisë, Brigitte Bierlein
Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Forumit të Parisit për Paqen, Presidenti i Republikës Ilir Meta u takua sot me Kancelaren e Austrisë, znj.Brigitte Bierlein.
Presidenti Meta e falenderoi Kancelaren Bierlein për mbështetjen e vendosur dhe pa rezerva që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe së ardhmes europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Përherë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm të Austrike mike për pavarësinë e Shqipërisë dhe për mbështetjen e fortë e të vendosur në kuadër të procesit të integrimit në BE. Të përbashkëtat historike, kulturore dhe njerëzore inkurajojnë rritje të mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, – u shpreh Meta.
Gjatë bashkëbisedimit, Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike dhe tregtare dypalëshe, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve austriake në Shqipëri.
Presidenti Meta gjithashtu çmoi asistencën austriake në edukimin profesional, duke kërkuar që eksperienca e shkëlqyer e Shkollës së Mesme Profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër, të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë.
Fraksion.com