Presidenti i Bolivisë pranon azilin në Meksikë
Evo Morales e pranoi ofertën për azil politik në Meksikë, një ditë pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Bolivisë, për shkak të protestave për mashtrime zgjedhore.
Në një postim në Twitter, ai tha se është e dhimbshme të largohet nga Bolivia, porse do të kthehet me më shumë “fuqi dhe energji”.
Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, konfirmoi se Morales ka udhëtuar atje me një avion të Qeverisë meksikane.
Në ndërkohë, ushtria boliviane i urdhëroi trupat që të mbështesin policinë, e cila është përleshur me mbështetësit e Morales.
Rreth 20 vetë u plagosën në përleshje.
Morales, më herët, u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’iu rezistojnë, siç tha, “fuqive të errëta” që e kanë detyruar të japë dorëheqje.
Nënkryetarja e Senatit tha se do të marrë përsipër udhëheqjen e përkohshme të Bolivisë derisa të mbahen zgjedhjet e reja.
Morales u zgjodh për herë të parë në vitin 2006.
Ai u vlerësua lart për luftimin e varfërisë dhe përmirësimin e ekonomisë së Bolivisë, por shkaktoi polemika kur i sfidoi kufijtë kushtetues, duke kandiduar për një mandat të katërt në zgjedhjet e tetorit.
U tha se këto zgjedhje kanë qenë me shumë parregullsi.
Fraksion.com