Kohë e fituar për qytetarët/ Nga janari nuk do të ketë më sportele, 90% e aplikimeve për dokumente online
Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot lajmin lidhur me aplikimet e qytetarëve për dokumente shteti për shërbime të ndryshme, “mbylljen e sporteleve të aplikimit për dokumente shtetërore pasi duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm 90% e këtyre shërbimeve do të jepet online për të gjithë qytetarët.
Rama tha se kjo do të shmangte varavingot e radhët në pritje të qytetarëve. Mbyllja e sporteleve, tha ai do të jetë edhe si një masë në luftën ndaj korrupsionit në këtë fushë.
“E nisëm 6 vjet më parë me vetëm 3 shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime që ofrohen online nëpërmjet portalit e-Albania. Duke qenë se kemi fuqinë gjithmonë e më të rritur të kapaciteteve të platformës, mendoj që ka ardhur koha të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë duke filluar nga viti i ardhshëm për një periudhë relativisht të shkurtër në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%,” u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri tha se kjo do të shënojë një fazë të revolucionit që do t’i japë fund vara-vingove të qytetarëve me letra, dosje e dokumenteve nëpër zyra shtetërore, duke kursyer kohën e shpenzuar të qytetarëve në radhë, por më e rëndësishmja, duke zhdukur përfundimisht korrupsionin në admnistratë.
“Duke filluar nga viti i ardhshëm do hyjmë në një fazë të re revolucioni që ka nisur në disa drejtime te shërbimet, që do jetë një përmbysje e madhe, sepse shumë shërbime nuk do jepen më duke u kërkuar qytetarëve të vijnë te sporteli, por duke iu dhënë mundësinë të aplikojë online. Të mos marrë mundimin qytetari të niset nga ana e anës për të shkuar e për të mbajtur radhë, apo të gjejë me humor të mirë atë që gjen në sporte, të mos harxhojë asnjë minutë, asnjë lekë për të marrë një shërbim, por ta marrë nga telefoni, apo nga kompjuteri. Jam besimplotë që brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do mbyllim sportelet në një masë të madhe për aplikime. QKB me derë të hapur për të regjistruar biznes s’do ketë më. Biznesi do regjistrohet drejtëpërdrejtë nga shgtëpia. Natyrisht që jo të gjitha mund të bëhen menjëherë, por 90% mund të bëhen menjëherë. P.sh., Kadastrën, që është problem i madh, do e studiojmë. Do mbarojë historia e vara-vingove. Korrupsioni në këtë nivel do zhduket, ndërkohë që platforma do hyjë në një fazë të re, ku do bëjë monitorimin e këtyre volumeve,” u shpreh më tej Kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se asnjë qytetari nuk do i kërkohet më asnjë dokument shtetëror në zyrat shtetërore, pasi këtë do ta bëjë vetë administrata për qytetarin.
“Jo vetëm kaq, por, do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumente shtetërore, që do të thotë që, nëse bën një kërkesë dhe duhen 20 dokumente, nga këto 1, 2, 3 janë private, pra është një vërtetim bankar, nga vendi i punës në privat, etj., do t’i gjesh vetë. Dokumentet shtetërore do t’i kërkojnë dhe do i gjejnë për qytetarin ata që rrinë te sporteli dhe janë mësuar vetëm t’i thonë qytetarit “shko gjeje”. Jo fare,” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama i bëri këto deklarata në eventin e përjavshëm të prezantimit të disa prej rasteve të sukesit të Platformës së Bashkëqeverisjes, në Kryeministri.
Fraksion.com