“Ka probleme me pasurinë dhe figurën morale”; KPA nuk dha vendimin për Besnik Muçin
Pas disa seancash, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka mbyllur përfundimisht hetimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, dhe pritet të japë vendimin final më 21 nëntor, për shkarkimin ose konfirmimin e tij në detyrë.
Ish-prokurori Muçi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.
Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti ndodhet në kushtet e mosdeklarimit të saktë të pasurisë, pasi nuk e justifikoi plotësisht atë.
“Për pasurinë 57 m2 blerë në vitin 2006, subjekti ka deklaruar disa hua nga babai dhe xhaxhai. Nga krahasimi i deklaratës së vitit 2006 me deklaratën veting ka mospërputhje”, tha Komisioni Publik, i cili vlerësoi se nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për huatë e marra.
“Po ashtu nuk ka dokumentacion te mjaftueshëm për aftësinë financiare të të afërmve që i kane huajtur para”, shtoi më tej ai.
Lidhja me biznesmenin
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale.
Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore.
Bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit ”Arlis shpk” në Tiranë , person që sipas DSIK rezulton me probleme ligjore.
Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro , pasi te ai ka blerë një banesë. Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.
Fraksion.com